Demokracia në Veprim ka publikuar sonte rezultate preliminare të zgjedhjeve të sotme të parakohshme parlamentare në Kosovë, sipas të cilave koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) prin me 36.9 për qind të votave, koalicioni LDK-AKR-Alternativa (LAA) ka 26.2 për qind dhe Lëvizja Vetëvendosje 24.7 për qind.
Ismet Kryeziu nga DnV duke prezantuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve, tha se ato do të mbeten online për publikun në mënyrë që qytetarët të shohin në vazhdimësi rrjedhën e rezultateve deri në përmbylljen e të gjitha votimeve.
“Rezultatet të cilat kemi ne bazuar në 30 për qind të vendvotimeve në Kosovë apo bazuar në 748 vendvotime janë këto: Koalicioni PAN është 36.9 për qind, koalicioni LAA është 26.2 për qind, Lëvizja Vetëvendosje është 24.7 për qind, Lista Serbe është 3.5 për qind dhe të gjitha subjektet tjera, të cilat kanë garuar në këtë proces janë me 8.8 për qind. Normalisht që në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht apo votat nga jashtë”, tha Kryeziu.
Ai ka bërë të ditur se janë duke vëzhguar procesin e numërimit në të gjitha vendvotimet, përjashtuar në dy vendvotime në Komunën e Deçanit , ku sipas tij, DnV është detyruar të tërheqë dy vëzhgues nga një qendër e numërimit. Kryeziu shtoi se është Policia e Kosovës ajo që po e trajton rastin.
Ndryshe, procesi i numërimit të votave po vazhdon dhe DnV bën thirrje që në qetësi të priten rezultatet përfundimtare. /kp