Aktuale

DnV: Deri në ora 10:00 është 4.49%, shënohen parregullsi

Demokracia në Veprim ka informuar se dalja e votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit deri në ora 10:00 është 2,360 votues apo shprehur në përqindje 4.49%.

DnV ka evidentuar si parregullësi në 9 nga 28 qendra të votimit, ku sipas tyre, është vërejtur prani e  policisë brenda qendrës së votimit.

Nuk raportohet për incidente, megjithatë prezenca e policisë në vendvotime është e ndaluar nëse nuk ftohen nga menaxheri i qendrës së votimit.

Në Tërstenik, dy persona të paautorizuar janë parë në qendrën e votimit të cilët po i orientojnë votuesit. Ndërsa në afërsi të shkollës “Luigj Gurakuqi” në Stankoc, është raportuar për persona të cilët janë parë duke orientuar votuesit.

Sipas DnV-së, në shkollën “Xhevë Lladrovci” në Gllanasellë, vëzhguesit e PDK-së, po asistojnë komisionarët me listën e votuesve.  Vëzhguesit në këtë qendër nuk kanë pamje të qartë të procesit të votimit.

“Në vendvotimin 0321E/01R, në Kishnarekë në shkollën “7 Marsi”, një person ka asistuar dy familjarë për të votuar, ndërsa është ndaluar të asistoj familjarin e tretë. Vlen të theksohet se familjari i tretë edhe pse është nënshkruar në listë të votuesve në shenjë pakënaqësie nuk ka votuar”, thuhet në komunikatën e DnV./KosovaPress/