Aktuale

Djuric: Nuk do të presim Prishtinën përgjithmonë për formimin e AKS

Shefi i Zyrës për Kosovë, Marko Djuric, ka thënë se AKS, edhe nëse formohet vetëm nga pala serbe, do të formohet sipas marrëveshjeve të nënshkruar nga Beogradi dhe Prishtina

“Marrëveshja është e definuar për të drejtat dhe përgjegjësitë dhe në bazë të tyre do të formohet”, ka thënë Djuric për Radio Televizionin e Serbisë, raporton GazetaExpress.

Ai ka shtuar se “marrëveshja lejon AKS-në që të vendosë për ‘jetën e përditshme, të sigurisë, informimit publik’ dhe gjëra të tjera”.

Ai ka thënë se Prishtina “tre vjet nuk ka lëvizur as gishtin” në formimin e AKS, edhe pse ky është detyrimi kyç i palës shqiptare, ka shtuar ai.

“Tani po habiten kur dikush e merr iniciativën. Ne nuk do të presim përgjithmonë. Nuk na intereson ndonjë kushtëzim i ri”, ka thënë Djuric. Ai tha se “në mesin e përfaqësuesve politikë të serbëve nga Kosova, por edhe njerëzve që jetojnë në provincën jugore, mbizotëron uniteti”.

Ai shtoi se “pritet që tek shqiptarët të mbizotërojë arsyeja dhe nuk do të tentojnë që nga pjesëmarrja e serbëve në institucionet e Kosovës të krijojnë dekor”.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me Mirjana Jevtic, e cila u emërua Ministre e Pushtetit Lokal të Kosovës, në vend të Ljubomir Maric, dorëheqja e së cilës është kërkuar nga Qeverisa e Serbisë, Djuric ka thënë se të gjithë ata që kanë bërë marrëveshje me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, “nuk duhet të jenë këtu”./GazetaExpress/.