Drejtori i Zyrës për Kosovën, në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric, u takua me përfaqësuesit politik të serbëve nga veriu i Kosovës.
Ata përcollën shqetësim e tyre në lidhje me “refuzimin e Prishtinës për të filluar procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS)” dhe theksuan se Qeveria e Serbisë, përmes dialogut në Bruksel, duhet të ushtrojë presion që më në fund të krijohen kushtet për formimin e tij, raporton B92.
Përfaqësuesit politik të serbëve të veriut të Kosovës kanë theksuar se “pa mekanizma institucional që do të sigurojnë AKS-në, populli serb nuk mund të zgjidhë problemet e veta, të cilat po grumbullohen si pasojë e radikalizmit të partive kryesore politike shqiptare dhe paqëndrueshmërisë gjithnjë e më të ndjeshme politike në Kosovë”.
Sipas tyre, Qeveria e Serbisë, përmes dialogut në Bruksel, duhet të ushtrojë presion që më në fund të krijohen kushtet për formimin e AKS, në mënyrë që, ndër të tjera, të parandalojë shkallëzimin e mëtejshëm të mosbesimit dhe përkeqësimit të marrëdhënieve midis elitave serbe dhe shqiptare në Kosovë.
Ata i përollën Djuric pikëpamjen e tyre se “Asociacioni që në këtë moment dëshiron të vendosë Prishtina nuk është i nevojshëm dhe se në qoftë se do të kishte juridiksionin e një OJQ-je, në vend të kompetencave thelbësore, do të sillte më shumë dëme sesa të mira për popullatën serbe”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Kosovë.
Djuric ka shprehur mirëkuptim për qëndrimin e popullit serb dhe përfaqësuesve të tij politik në veri të Kosovës dhe kërkoi edhe pak durim ashtu që procesi i formimit të AKS të përfundojë në mënyrë që serbëve tu garantohet mbrojtja efektive e të drejtave kolektive.
Drejtori i Zyrës për Kosovën u pajtua se AKS duhet të formohet me kompetenca në fushën e edukimit shëndetësor, zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, zhvillimit rural, mbrojtjen e mjedisit dhe të informacionit, të cilat, sipas tij, janë parashikuar nga marrëveshja e Brukselit dhe marrëveshjet tjera.
“Çdo gjë tjetër do të thoshte shmangie e obligimeve të marra dhe bërjen të pakuptimtë të procesit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së”, ka thënë Djuric.
Në takim morën pjesë Ministri i Pushtetit Lokal në institucionet e Kosovës, Ljubomir Maric, kryetarët e organeve të përkohshme si dhe dhe kryetarët e komunave nga veriu, Aleksandar Spiric, Goran Rakic, Ivan Todosijević, Vučina Janković, Zoran Todiç dhe Stevan Vulovic.