Beogradi, pas 15 shkurtit, së bashku me përfaqësuesit e serbëve do të formojnë bashkësinë e komunave serbe
Kështu ka deklaruar Drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Djuric, duke njoftuar këtë zhvillim, “nëse vitin e ardhshëm deri në festën serbe ‘Sretenja’, autoritetet nuk kanë filluar të përmbushin detyrimet e tyre në lidhje me formimin e bashkësië së komunave serbe (BKS)”, raporton Tanjug.
Ai theksoi se përgjegjësitë dhe objektivat e BKS do të përcaktohen së bashku me qytetarët dhe në përputhje me nevojat e tyre, dhe se BKS do të merret me sigurinë, zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, informimit publik”.
“E gjithë ajo që është e nevojshme për jetën dhe mbijetesën e popullit tonë në Kosovë dhe Metohi. Ne nuk do të presim askënd, të kërkojmë lëmoshë në lidhje me atë që na përket në mënyrë legjitime”, u ka thënë Djuric gazetarëve në Beograd.
Siç tha ai, “krijimi i BKS është shprehje e forcës, unitetit të popullit serb në Kosovë dhe Metohi, dhe kjo nuk duhet t’a trembë askënd”.
“Unë dua të them se BKS do të jetë pjesë përbërëse e Serbisë, ashtu siç është krahina jonë jugore e Kosovës dhe Metohisë pjesë integrale të Serbisë, prandaj me Beogradin dhe me Prishtinën, do të mbajë lidhje aktive, institucionale, ekonomike dhe politike, jo në dëm të dikujt por për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në të”, përfundoi ai