Rajon & Botë

Djemtë e Khashoggit kërkojnë që trupi i babait të tyre t’i kthehet familjes

Salah dhe Abdullah Khashoggi, djemtë e gazetarit të vrarë, Jamal Khashoggi, u kanë kërkuar autoriteteve turke dhe saudite që ta gjejnë trupin e babait të tyre dhe t’ua kthejnë atyre për ta varrosur me ceremoni familjare. Në anën tjetër, dyshohet se Arabia Saudite është duke bërë përpjekje që ta fshehë të vërtetën lidhur me vrasjen e tij.

Djemtë e gazetarit e thyen heshtjen pas një muaji pasi babai i tyre u zhduk në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Ata pranuan të jepnin një intervistë për televizionin amerikan “CNN” të dielën, ku treguan se javët e fundit kanë qenë shumë të vështira për familjen e tyre dhe ku e vlerësuan babanë e tyre si njeri zemërgjerë dhe të guximshëm.

Salah, i cili mendohet se u ndalua një herë për ta braktisur Arabinë Saudite, udhëtoi për në Uashington me Abdullahun dhe dy motrat e tyre para dy javësh, pak kohë pasi ai ishte fotografuar duke shtrënguar duart me princin Mohammed bin Salman, pasi ishte detyruar të takohej me të në pallatet mbretërore të Riadit.

Familja po pret rezultatet e hetimit për vrasjen e babait të tyre dhe më pas t’i kërkojnë Mbretit Salman që t’i sjellë vrasësit para drejtësisë. Në anën tjetër, presidenti i Turqisë, Erdogan, dhe zyrtarët e partisë së tij besojnë se nivelet më të larta të shtetit saudit e kanë urdhëruar vrasjen e gazetarit dhe se Arabia Saudite nuk ka mundësi që ta hetojë këtë krim në mënyrë të pavarur.

Pjesët e trupit të tij nuk janë gjetur ende, ndërsa hetuesit turq besojnë se trupi i tij është prerë në copë me një sharrë për prerjen e eshtrave dhe pastaj ose është hedhur diku në zonat rurale, ose është shkrirë në acid në një vend afër konsullatës, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Përktheu: Nasuf Abdyli

the authorBurbuqe Metolli