Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se të dielën janë regjistruar 96 raste të reja me sëmundjen Covid-19, që e shkakton koronavirusi.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, gjithë këto raste janë zbuluar pas kryerjes së testimit të 439 mostrave, të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Rastet pozitive janë nga: komuna e Gjilanit 20 raste, komuna e Prishtinës 19 raste, komuna e Prizrenit 19 raste, komuna e Mitrovicës 15 raste, komuna e Pejës 6 raste, komuna e Vitisë 6 raste, komuna e Vushtrrisë 3 raste, komuna e Drenasit 2 raste, dhe me nga 1 rast komunat: Fushë Kosovë, Kaçanik, Lipjan, Mamushë, Obiliq dhe Shtime.
Pas rritjes së infektimeve, IKSHPK-ja ka rekomanduar Qendrën Klinike Universitare që të përgjysmojë shërbimet “dhe të ndalojë rreptësisht hyrjen e përcjellësve në reparte, shërbime specialistike dhe klinika”.
Me rritjen e rasteve të të infektuarve ditëve të fundit IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, kanë bërë thirrje për respektim të masave dhe mbajtje të distancës, në mënyrë që të mos kthehen masat më rigoroze.
Që nga regjistrimi i rastit të parë me koronavirus, respektivisht përhapjes së pandemisë, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 2,169 raste me COVID-19.
Dje pati edhe 29 të shëruar, duke e çuar në 1,047 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.
Kurse janë 36 pacientë që kanë vdekur pas infektimit me koronavirus, por që kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese./FaktePlus