Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) njoftoi se të enjten janë regjitruar edhe 69 raste të reja me koronavirus në Kosovë.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, gjithë këto raste janë zbuluar pas kryerjes së testimit të 281 mostrave, të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Numrin më të madh të rasteve e ka Komuna e Prishtinës, e cila ka regjistruar 37 raste të reja.
Sipas IKSHPK-së, Komuna e Istogut ka 8 raste, Komuna e Prizrenit 5 raste, Komuna e Fushë Kosovës 5 raste, Komuna e Mitrovicës 3 raste, Komuna e Ferizajt 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Drenas, Rahovec, Klinë, Lipjan, Obiliq, Pejë, Suharekë, Viti dhe Vushtrri.
IKSHPK-ja po ashtu njofton se të enjten janë shëruar 75 pacientë nga koronavirusi, me të cilët numri i përgjithshëm i të shëruarve shkon në 1,246.
Kosova deri më tash ka konfirmuar 2,432 raste me koronavirus.
Prej tyre, 42 kanë vdekur, ndërsa 1,144 raste mbeten aktive.
Në njoftimin për media, IKSHPK-ja thotë se bartja e maskave është obligative, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.