Aktuale

Dje partia e saj mori meritat, sot deputetja e VV-së kërkon përgjegjësi nga presidenti për njohjen nga Xhamajka

Pasi morën meritat për njohjen e Kosovës nga Xhamajka, tani zyrtarë të lartë të VV-së po kërkojnë përgjegjësi nga presidenti për demantin që ministria e Jashtme xhamajkane i bëri një informacioni të tillë.

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari ka thënë se e gjithë kjo situatë është mungesë e koordinimit të institucioneve.

Madje ajo nuk ka hezituar që këtë lajm ta quaj “teke” të presidentit të vendit që të tregojë suksesin e veprimit të tij në politikën e jashtme.

Mirëpo, mbrëmë, me t’u publikuar lajmi se Xhamajka ka njohur Kosovën, zyrtarë të lartë të VV-së, përfshirë edhe deputeten, Fitore Pacolli këtë sukses ia atribuan ministrisë së Jashtme që udhëhiqet nga Glauk Konjufca i VV-së.

Tani që ky informacion u demantua, Pacolli dhe zyrtarë të tjerë kanë kërkuar përgjegjësi nga persona të tjerë.

Postimi i plotë:

Fake News i radhës

Politika e brendshme dhe politika e jashtme e shtetit nuk duhet të jenë garë midis udhëheqësve shtetërorë. Mungesa e koordinimit dhe “garimi” me njëri – tjetrin për më shumë se një dekadë në Kosovë gjithmonë e ka dëmtuar Kosovën dhe kurrë nuk i ka sjellë ndonjë të mirë vendit.

Rasti i fundit i (mos)njohjes nga Xhamajka nuk është asgjë tjetër, pos një teke e Presidentit të vendit të ngutet dhe tregojë suksesin e veprimeve të tij në shërbimin e jashtëm, në ditën kur Ministri i Jashtëm shkarkoi konsujt e emëruar jashtëligjshëm në këtë dikaster. Për fat te keq për Kosovën vetëm brenda pak orëve, u demantua Presidenti, ndërsa e tërë Kosova u bë pre e edhe një “fake news”.
Presidenti nuk i bëri nder asapak Ambasadores Çitaku, në fakt, ai e ekspozoi atë keqas para strukturës së re politike në Kosovë.
Presidenti nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për këtë lajm të rremë. Ai duhet të marrë këtë “mësim” dhe ta kuptojë se çfarë mund të ndodhë me vendin nëse e përdor të njejtën politikë në vazhdimësi edhe në dialogun me Serbinë dhe komunikimin paralel me partnerë tjerë ndërkombtarë.

Kosova e vogël me shumë “mbretër” duhet të kthehet në Kosovën funkcionale me Qeverinë dhe institucionet e përgjegjshme ndaj obligimeve që i kanë për qytetarët e tyre. /Lajmi.net/

the authorGazetaKNN