Aktuale

Dje Kurti e Mustafa paralajmëruan Thaçin e Haradinajn kundër emërimit të shefit të AKI-së

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në ditët e tij të fundit si shef qeverie, së bashku me presidentin Hashim Thaçi, mori vendim për emërimin e kryespiunit të AKI-së, e të inspektorit të përgjithshëm. Për emërimet në këto pozita, patën paralajmëruar ditë më parë kreu i VV-së, Albin Kurti e Isa Mustafa, lideri i LDK-së, shkruan Gazeta Express.

Një ditë para përfundimit të afatit ligjor prej 20 ditësh, prej kur pozita e shefit të AKI-së mbeti e lirë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me presidentin Hashim Thaçi, kanë emeruar drejtor te AKI- së Kreshnik Gashin.

Pak ditë pasi që kjo pozitë kishte mbetur e lirë, pas dorëheqjes së befasishme të Shpend Maxhunit, kreu i VV-së, Albin Kurti, i bëri me dije kryeministrit në detyrë se shefi i ri i AKI-së do të emërohet nga qeveria e re.

Kurti përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se vendimi për të parin e institucionit më të lartë të sigurisë në vend i takon kryekëput qeverisë së re.

“Qeveria në ikje posaçërisht duhet të jetë e përmbajtur kur bëhet fjalë për emërime të ndjeshme si ato në Noteri, Gjyqësi, Diplomaci, Siguri publike apo AKI. Këto vendime i takojnë kryekëput qeverisë së re, pasi të ketë përfunduar skanimi i gjendjes ekzistuese dhe identifikimi i pengesave në operimin e suksesshëm të secilës prej tyre”, ka shkruar Kurti.

“Ligji parasheh afatet. Por mendoj se do duhej të gjendet një zgjidhje kalimtare e cila siguron që kryeministri i ardhshëm së bashku me presidentin të zgjedhin drejtorin e ri”, kishte deklaruar Mustafa.

Dorëheqja e Shprend Maxhunit u konfirmua nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës ka pranuar kërkesë nga z. Shpend Maxhuni për rikthim në Policinë e Kosovës”, ka njoftuar Policia. /Gazeta Express/

the authorGazetaKNN