Aktuale

Djali thyen urdhrin e mbrojtjes, rreh sërish nënën

Një tjetër rast i dhunës në familje vjen nga Elbasani, ku një djalë i ri nuk ka pyetur për urdhrin e mbrojtjes, por ka rrahur nënën e tij.

Aldo Sabriu, 25 vjeç banues në Elbasan, u vu në prangat e policisë gjatë ditës së djeshme, pas denoncimit të bërë nga e ëma.

Arrestimi i tij u bë pasi, pasditen e së premtes në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij, R.Sh., 51 vjeçe, e cila ka qenë e pajisur me urdhër mbrojtje nga gjykata, qysh prej muajit qershor.

Mësohet se djali ishte natyrë problematike dhe se në muajin qershor, 51-vjeçarja e kishte denoncuar sërish për dhunë.

Pas arrestimit të djeshëm, ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.