Vanessa Trump ka kërkuar divorcin nga bashkëshorti i saj, Donald Trump Jr., në mbrëmjen e së enjtes, raportojnë mediat amerikane. Vanessa thuhet ta ketë paraqitur kërkesën për ndarje nga i biri i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në Gjykatën Supreme të Manhatanit.
“Page Six” ka raportuar se Vanessa dhe Donald Jr. prej kohësh nuk janë duke jetuar bashkë.Reja e presidentit Trump ishte shtruar në spital, në shkurt, pasi një burrë nga Masaçusets kishte dërguar një zarf me pluhur të bardhë në banesën e çiftit, në kullën Trump, në Nju-Jork. Pas ekzaminimit, ishte konstatuar se substanca e bardhë nuk ishte e rrezikshme.
Problemet martesore të çiftit duken të jenë përkeqësuar nga incidenti me pluhurin, dhe nga udhëtimet për punë të Donald Jr., të cilat e kanë lënë Vanessën “gjithnjë e më të vetmuar”, sipas “Page Six”.Vanessa Trump, 40-vjeçare, dhe Donald Trump Jr., 40-vjeçar, kanë pesë fëmijë. Ata janë martuar në vitin 2005.