Aktuale

Ditëve në vijim mot i ftohtë me shi dhe borë, në mëngjes edhe ngrica

Siç parashihej që nga java e shkuar në modelet parashikuese, me kalimin e vorbullës ciklonike mbi rajon, gjatë ditës së sotme, dhe me depërtimin e masave të ftohta ajrore polare, reshjet e shiut filluan të përzien me borë, e vende-vende edhe të shndërrohen në borë.

Ditëve në vijim do të mbajë mot i ftohtë kryesisht me vransira dhe të reshura lokale shiu të përziera edhe me borë, e gjatë natës mundësi vetëm për reshje bore. Në mëngjes priten edhe ngrica.

Në ditët e fundjavës do të mbajë mot i ndryshuar me vransira dhe intervale më të gjata me diell. Të shtunën pas mëngjesit të ftohtë, ditën do të mbajë mot më i butë, pjesërisht i vranët, e ditën e diel në orët e pasdites dhe mbrëmjes priten reshje lokale shiu.

Temperaturat do të pësojnë rënie të theksuar nën vlera mesatare në të dy ekstremet për këtë periudhë kohore. Minimalet do të zbresin në -3C deri në 0C, e ato maksimale në 6C, e në fundjavë do të rriten deri në 12C.

Era do të fryejë mesatarisht e fuqishme nga veriperëndimi 5-10m/s. Shtypja atmosferike gradualisht do të rritet mbi vlera normale.