Arsim & Kulturë

Dita e verifikimit të fakteve, Kolegji AAB dhe Kallxo.com organizuan ligjëratë speciale për studentët e gazetarisë

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve (International Fact-Checking Day), Fakulteti i Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB dhe KALLXO.com, organizuan ligjëratë speciale në temën: “Mos lejoni me ju mashtru: Verifikoni faktet”, ku ligjërues para studentëve ishin Drejtori Ekzekutiv i ‘Internews Kosova’, Drejtor Televiziv dhe Kryeproducenti i videove të BIRN Kosova, Faik Ispahiu, si dhe Redaktori i ‘Drejtësia në Kosovë’, Kreshnik Gashi.

Kryeproducenti Faik Ispahiu, në këtë ligjëratë njoftoi studentët për ‘Krypometrin’, platformë kjo që e ka aplikuar ‘Kallxo.com’, e cila merret me monitorimin, verifikimin e më pas publikimin e gënjeshtrës së akterëve llogaridhënës.

“Krypometri është pjesë e “Fact-Checking-ut’ ndërkombëtarë. […] Krypën e kemi përdorur si metaforë të gënjeshtrës, p.sh ‘Na krype tu na rrejt’”, tha Ispahiu, duke u treguar edhe detaje të tjera të kategorizimit të gënjeshtrës të aplikuara në ‘Krypometer’si: “Me kos”, “Rrenë”, “Rrenë e krypur”, etj.
Pos gënjeshtrës, ‘Krypometri’ merret edhe me të vërtetat, duke i klasifikuar deklaratat apo premtimet e llogaridhënësve si: “Të vërteta” dhe ‘Pjesërisht të vërteta”.

Ndërsa, Kreshnik Gashi tha se kjo platformë e cila ka ardhur edhe si kërkesë e rendit të ri botëror të gazetarisë, është nisur si ide qysh para dy viteve, dhe se për dy vite radhazi u është dashur shumë punë për mënyrën e realizimit, ku tek në dhjetor të vitit të kaluar është lansuar në uebfaqen e Kallxo.com.

“Krypometri ka qenë diçka e re në skenën e informimit në Kosovë, pasi që deri më tani nuk është matur niveli i përputhshmërisë së fakteve të deklaratave të politikanëve”, tha Gashi, duke shtuar se kjo platformë ka ardhur me qëllim që akterët llogaridhënës të kenë kujdesë në deklarimet e tyre publike.

Në këtë ligjëratë u fol edhe për besueshmërinë e informacioneve nga skena mediatike në Kosovë, si dhe me sfidat me të cilat janë përballur në vazhdimësi “Internews Kosova’ dhe ‘BIRN’, si nga puna e vështirë në terren, problemi me qasjen në dokumente zyrtare e deri të proceset gjyqësore që kanë pasur deri më tani.

Në fund të kësaj ligjërate u zhvillua edhe një debat ku studentët e Fakulteti të Komunikimit Masiv parashtruan pyetje, të cilave iu përgjigjën ligjëruesit nga Kallxo.com.

Kolegji AAB ka marrëveshje me Kallxo.com, ku studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv në nivelin Bachelor dhe Master mund ta kryejnë praktikën në këtë institucion.