Arsim & Kulturë

Dita e dytë e “Prishtina International Theater Festival 2017”, sot jepen dy shfaqje

Sot në në ditën e dytë të festivalit të parë Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″ (PITF 2017), në AAB Teatrin ‘Faruk Begolli” do të jepen dy shfaqje: “Shërbëtoret” me ekipën nga Bullgaria si dhe shfaqja ” Svetica u Tami” me ekipën nga Kroacia.

Në konferencën e parë të sotme për media, drejtoresha artistike e PITF 2017, Burbuqe Berisha, fillimisht prezentoi para mediave ekipin e shfaqjes “Shërbëtoret”, të cilën e cilësoi si një shfaqje mjaft të mirë.

Drejtoresha Berisha tha se regjisorja Diana Dobreva, është njëra ndër regjisoret më të mira në këtë festival, ndërsa ftoi publikun që ta shikojnë shfaqjen “Shërbëtoret”, për të cilën thotë se ka arritur suksese të mëdha duke fituar edhe shpërblime ndërkombëtare.

Ndërsa, regjisorja nga Bullgaria, Diana Dobreva, i falënderoi për mundësinë dhe mikëpritjen e pjesëmarrjes së saj në PITF 2017, duke thënë se është shumë e kënaqur që gjendet në Prishtinë.
Ajo ftoi publikun që ta shikojnë shfaqjen “Shërbëtorët” dhe të japin opinionet e tyre për këtë shfaqje.

Ndërsa në konferencën e dytë të ditë së sotme në AAB Teatrin “Faruk Begolli”, pyetjeve të gazetarëve iu përgjigjën regjisorja e “Svetica u Tami”, Ivana Peroš, aktorja që luan Nënë Terezën, Kostadinka Velkovska si dhe aktori kosovar që luan në këtë shfaqje, Ilir Tafa.

Aktori Ilir Tafa për shfaqjen “Svetica u Tami”, në të cilën interpreton edhe ai vet dhe që i kushtohet jetës së veprimtarisë së Nënëns Terezë, tha se kjo shfaqje ka pasur një sukses të madh si në Sarajevë ashtu edhe në Zagreb.

“Në Sarajevë, kjo shfaqje ka pasur një jehonë shumë të madhe pasi që për herë të parë po luhet një shfaqje për Nënë Terezën. Kemi luajtur nëpër të gjitha qytetet e Bosnjës, ku shfaqja është pritur mjaft mirë nga publiku atje, edhe në Zagreb është njësoj. Për herë të parë punoj me regjisoren Ivana Peroš, është një regjisore shumë e mirë, e cila në të njëjten kohë punon edhe në disa teatro atje. Edhe ekipa tjetër që interpretojnë në këtë shfaqje, janë emra të njohur të skenës së teatrit në Zagreb. Unë nuk kisha mujt me e nda se cila ekipë apo cila shfaqje është më e mirë. Përafërsisht janë të njëjta”, tha aktori Tafa.

Ai thotë se shfaqja “Svetica u Tami” në PITF 2017 do të ketë një koncept tjetër regjisorial, pasi që në të interpretojnë vetëm pesë aktorë, të cilët do të luajnë nga dy deri në tri role.
“Këtu është bërë një punë mjaft e madhe edhe me aktorë si dhe një koncept regjisorial pak më ndryshe. Me vjen mirë që edhe Sarajeva edhe Zagrebi kanë punu shfaqje për Nënën Terezë. Me ata të cilët unë kam ndejt në Sarajevë edhe në Zagreb, një shumicë, ndoshta 90 për qind e tyre nuk e kanë ditur që Nëna Terezë ka prejardhjen shqiptare. Është një kënaqësi shumë e madhe për mua që kam interpretuar në këtë vepër shumë të mirë që i kushtohet jetës dhe veprimtarisë së Nënës Terezë”, shtoi aktori Tafa.

Sot, në ditën e dytë të PITF 2017, shfaqja ‘’Shërbëtoret’’ me ekipën nga Bullgaria do të jepet në ora 17:00, ndërsa, shfaqja ‘’Svetica u Tami’’ me ekipën nga Kroacia, do të jepet në ora 20:00.

Për më shumë informata rreth festivalit të parë Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″, klikoni KËTU.