Aktuale

Dita Botërore Kundër Kancerit

Sot shënohet Dita Botërore Kundër Kancerit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit 8.8 milionë njerëz vdesin nga kanceri, shumica në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

As në Kosovë nuk është gjendje më e mirë. Në vitin 2015 në Onkologji janë paraqitur 808 raste të reja, kurse viti 2016 ka shënuar një rritje relativisht të madhe, duke u regjistruar 1238 raste.

Përmes ndërmarrjes së hapave për zbatimin e udhëzimit të ri të OBSH-së, planifikuesit e kujdesit shëndetësorë mund të përmirësojnë diagnostikimin e hershëm të kancerit dhe të sigurojnë trajtimin e menjëhershëm, sidomos për kanceret e gjirit, cerviksit dhe atë kolo-rektal. Kjo do të rezultojë me më shumë njerëz që mbijetojnë kancerin.

Të gjitha vendet mund të ndërmarrin hapa për të përmirësuar diagnostikimin e hershëm të kancerit, sipas Udhëzues të ri të OBSH-së për diagnostikimin e hershëm të kancerit tre hapat e diagnostikimit të hershëm janë:

·         përmirësimi i ndërgjegjësimit publik për simptomat e kancereve të ndryshme dhe inkurajimi i njerëzve që të kërkojnë kujdesin kur paraqiten ato simptoma,

·         investimi në fuqizimin dhe pajisjen e shërbimeve shëndetësore dhe trajnimin e  profesionistëve shëndetësorë ashtu që ata të mund të kryejnë diagnostikimin e saktë dhe me kohë,

·         sigurimin që njerëzit që jetojnë me kancer të mund t’i qasen trajtimit të sigurt dhe efektiv, përfshirë zbutjen e dhembjes, pa përjetuar vuajtje frenuese personale apo financiare.

Përndryshe, kjo ditë është shënuar dje në Kosovë, ku Shoqata e Onkologëve dhe Klinika e Onkologjisë në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, në Prishtinë kanë mbajtur një aksion vetëdijësues.

Qytetarët kanë pasur rastin që të marrin broshura të cilat përmbajnë këshilla për jetë të shëndetshme në mënyrë që të parandalohet kjo sëmundje. Onkologët i gëzohen faktit që  raportimet për  të prekurit nga kjo sëmundje janë të hershme, por sfidë për ta mbetet mungesa e barit për parandalimin e kësaj sëmundje./KosovaPress/