Kolegji AAB shënoi sot “23 Prillin” – Ditën Ndërkombëtare të Librit.
Së bashku me Shtëpia Botuese AAB Press dhe Biblioteka Universitare e Kolegjit, AAB organizoi disa aktivitete, ku një ndër to ishte kampanja “Dhuro një libër – ndrit shumë mendje”.
Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në fjalën e tij tha se kjo ditë ka një simbolikë të veçantë si për ata që shkruajnë, poashtu edhe për ata që lexojnë.
“Nga simbolika e kësaj dite është se në këtë datë kanë lindur dhe kanë vdekur shumë shkrimtarë të mdhenj të letërisë botërore, nuk ka nevojë ndoshta të përmendim shumë të tjerë, mjafton të përmendet Shekspiri, Servantes etj, andaj kjo edhe duhet të ketë qenë arsyeja që ndoshta UNESCO me një rezolutë në vitin 1995 e shpalli “23 Prillin” si Ditën Botërore të Letërsisë, për t’i bërë respekt librit, por edhe për të bërë homazhe për autorët e ndryshëm sidomos ata të cilët kanë prekur majat e letërsisë”, tha ai.
Rektori Tafa, në fjalën e tij poashtu porositi studentët që të lexojnë sa më shumë, madje jo vetëm të lexojnë por edhe të rilexojnë.
Ndërsa, Urim Sallauka, drejtor i Bibliotekës Universitare të Kolegjit AAB, tha se në fjalën e tij tha se “Ne, në AAB po punojmë çdo ditë që të jetë ditë e librit”.
Sallauka njoftoi të pranishmit se Biblioteka Universitare e Kolegjit AAB në të tri kampuset e saj, në Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë, ka një fond shumë të pasur me koleksione të ndryshme me libra, me revista shkencore si të printuara ashtu edhe online si dhe me staf profesional.
“Kemi me dhjetra mijëra libra nga të gjitha fushat e studimit. Këto libra mund t’i merrni në forma të ndryshme si në kopje fizike, kopje elektronike dhe t’i shfrytëzoni në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithashtu e keni mundësinë t’i shfrytëzoni edhe burimet e tjera online të cilat Kolegji AAB i ka krijuar mundësitë për të gjithë studentët, të gjithë përdoruesit e tjerë duke u parapaguar ose duke marrë qasje nga kompani të ndryshme shumë të njohura në botë, të cilat për neve është privilegj që t’i kemi”, tha Sallauka.
Ai tha se biblioteka është e hapur jo vetëm për studentët e Kolegjit AAB, por për të gjithë hulumtuesit e tjerë të cilët janë të interesuar, mund të vijnë në bibliotekë, t’i shfrytëzojnë burimet e kësaj biblioteke dhe të dhënat bibliografike, pa pasur nevojë që të kenë ndonjë parapagim ose anëtarësim.
Në kuadër të “23 Prillit” – Ditës Ndërkombëtare të Librit, në Kolegjin AAB u zhvilluan edhe disa aktivitete të tjera, si themelimi dhe dhënia e çmimit “Masar Stavileci” për lexuesin e rregullut në Bibliotekën Universitare të AAB-së, pastaj promovimi i pesë librave të autorëve të ndryshëm si dhe kampanja “Dhuro një libër – ndrit shumë mendje”. Kjo e fundit ka për qëllim mbledhjen e librave, të cilat mund t’i keni lexuar, të cilat biblioteka e Kolegjit AAB t’i mbledh dhe do t’i ruajë për studentët e këtij kolegji dhe brezat që do të vijnë.
Librat mund t’i dhuroni në ambientet e bibliotekave të AAB-së në kampusin qendror në Prishtinë dhe në kampuset në Ferizaj dhe Gjakovë. /Gazeta KNN