Disa njerëz mendojnë se çdo gjë ndodh për një arsye, dhe se nuk ia vlen që të pendohesh për asgjë.
Por, për shumicën prej nesh, e kaluara mund të na shtyjë që të vijmë në një pikë ku do të dëshironim që disa gjëra t’i kishim bërë më ndryshe – duke e pyetur veten: “Çfarë nëse…?”.
Një përdorues në Quora, Bradley Voytek, bëri një anketë online për të parë se për çfarë pendohen njerëzit më së shumti në jetë. Voytek thekson se ka dy mënyra se si njerëzit i përkufizojnë pendimet e tyre: Gjërat që i bënë për të cilat do të donin të mos i kishin bërë, dhe gjërat që nuk i bënë por që do të dëshironin t’i kishin bërë.
Këto janë disa prej pendimeve më të zakonshme të nxjerra nga përdoruesit e Quora:
“Pendohem që kurrë nuk u dashurova në dikë që ishte i dashuruar në mua, kur kjo do të ishte më e lehtë për mua ta bëja”.
“Për aq sa më kujtohet, dëshiroja të kisha fëmijë. Por në vitet e rinisë, u bëra budallaqe duke menduar se karriera është më e rëndësishme, dhe se martesa e fëmijët thjeshtë do të ndodhnin një ditë. E pra, nuk ndodhën. Dola me disa meshkuj por kurrë nuk e pata familjen prioritet. Pastaj, në fund të 30’ave, u diagnostikova me kancer në vezore që më la përgjithmonë jopjellore. Mendoj çdo ditë për fëmijët që kurrë nuk i pata, disa herë në ditë. Kam marrëdhënie të mahnitshme me nipat dhe mbesat e mia dhe jam vullnetare në spitalin e fëmijëve, por nuk është njëjtë të jesh afër fëmijëve të njerëzve të tjerë. Do të doja ta adoptoja një dhe të kisha mundësi financiare për ta bërë këtë realitet një ditë”.
“Pendohem që nuk kalova më shumë kohë me prindërit e mi gjatë të njëzetave. E humba mamanë më 2000 dhe e ndjej humbjen e miqësisë që kurrë nuk e patëm. Nganjëherë ndjehem sikur kam nevojë ta thërras, por pastaj e kuptoj se ajo nuk është gjallë që të flasë me mua dhe e kuptoj se sa shumë ende më mungon”.
“Do të dëshiroja t’i kisha ndjekur ëndrrat e mia kur isha i ri dhe të vendosja se çfarë të merrja në universitet. Sikur të merrja vendim të besoja në veten time – talentet e mia, pasionet, ëndrrat – në vend se të brengosesha për të gjetur një punë, jeta ime do të ishte shumë më ndryshe sot”.
“Nëse do të kisha mundësinë t’i flisja vetes sime kur isha 25, do t’i thosha: Mos u brengos aq shumë për paratë. Kap më shumë shanse. Merr një vit pushim, eksploroje botën. Nuk është vonë”.
“Nuk pendohem për asgjë tjetër përpos për kohën që nuk e kalova me fëmijët e mi kur ishin të rinj”.
“Do të doja të qëndroja në kontakt me miqtë e mi”.
“Do të doja sikur të mos provoja t’i kënaqja njerëzit. Askush nuk ka më shumë vlerë në univers se sa vetë ti. Do të doja t’ia kisha kujtuar këtë vetës më shpesh. Do ta shpëtoja gjithë atë kohë që përpiqesha t’i kënaqja të tjerët. Paratë që i humb mund t’i kthesh gjithmonë prapë. Por edhe vetëm 5 minuta të kohës nëse i humb nuk mund t’i kthesh më kurrë”.