Aktuale

Disa kryetarë të komunave nga Kosova po qëndrojnë në shtetin amerikan të Iowas

Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Iowas do të vazhdojë të fuqizohet, përmes bashkëpunimit më të afërt ndërmjet autoriteteve lokale të të dyja shteteve, por edhe duke u zgjeruar me bashkëpunimin ekonomik. Kjo u tha gjatë një takimi të zëvendësguvernatorit të shtetit amerikan të Iowas me një delegacion të kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës, të cilët po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën organizimin e Agjencisë për Zhvillim Rajonal – Qendër dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Zëvendësguvernatori i shtetit të Iowas, Adam Gregg u shpreh i lumtur me partneritetin e Iowas me Kosovën, i cili reflektohet përmes marrëveshjeve të partneritetit ndërmjet qyteteve të ndryshme të Kosovës me ato të Iowas.

Ai shprehu zotimin e shtetit të tij për zgjerimin e këtij partneriteti edhe në fushën e ekonomisë, duke theksuar mundësinë që biznese nga Iow a të bëhen pjesë e delegacionit të Guvernatores së Iowas, gjatë vizitës së saj në Kosovë në muajin qershor.

Sipas OEAK, pjesë e këtij delegacioni janë kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, kryetari i Komunës së Shtimes Naim Ismajli, kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, kryetari i Komunës së Ranillugut Vladica Aritonovic, kryetari i Komunës së Mamushës Abdulhadi Krasnic, kryetari i Komunës së Parteshit Dragan Petkovic, dy drejtorë komunalë nga Komuna e Graçanicës Milos Dimitrijevic dhe Dejan Jovanovic, si dhe Blerim Hasani, përfaqësues i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

the authorGazetaKNN