Përderisa Qeveria greke pret reagim të Moskës pas dëbimit të dy diplomatëve rusë dhe ndalesës për hyrje në vend të dy të tjerëve për shkak të përzierjes në punët e brendshme, u paraqitën hollësi të reja rreth tentimeve të diplomatëve rusë për ta imponuar ndikimin e Moskës në Greqinë veriore, shkruan gazeta “Katimerini”.
Në shkrim ceket se ata diplomatë rusë jo vetëm që kanë tentuar të komprometojnë përfaqësues të kishës dhe të autoriteteve lokale në tentim për ta minuar marrëveshjen për emrin mes Athinës dhe Shkupit, por edhe kanë tentuar të infiltrohen në Shërbimin grek të zbulimit dhe në forcat e armatosura të vendit.
Sipas njohurive të “Katimerini”-t, janë bërë tentime për të komprometuar një zbulues të mëparshëm dhe disa përfaqësues të armatës.
Sipas burimeve qeveritare, tentimet e Rusisë për ta zgjeruar ndikimin e vet në Greqinë veriore kanë filluar para një kohe të caktuar dhe kanë përfshirë pjesëmarrje të një greku etnik, i cili kishte ardhur në vend pas shpërbërjes së Bashkimit sovjetik. Krijimi i grupeve kulturore dhe aktiviteteve të tjera ishin pjesë e fushatës së madhe të Rusisë për ta zgjeruar ndikimin e vet në rajonin, i cili, sipas Moskës, do të prishej me marrëveshjen me emrin, theksojnë gazetat greke.
Ende nuk dihet se çfarë masa do të ndërmarrë Rusia si përgjigje ndaj dëbimit të diplomatëve, thekson “Katimerini” dhe vëren se kjo është një ndër krizat më të mëdha diplomatike në vitet e fundit.