Hendeku në Lëvizjen Vetëvendosje u thellua edhe më tutje kur dy ‘kokat’ e kësaj partie për vite të tëra, akuzuan njëri-tjetrin duke filluar nga ngacmimet për gjininë femërore brenda partisë, e deri te rreziku që njëri nga ta mund t’i sillte shtetit të Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Dardan Molliqaj, ish-sekretari organizativ i VV’së, bëri të ditur se ish-bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Albin Kurti, është i rrezikshëm për shtetin e Kosovës, me qasjen e tij politike.
Sipas tij, në rast se Vetëvendosje vjen në krye të shtetit dhe merr në kontroll edhe policinë dhe gjykatat, mund të ndodh ajo që po ndodh brenda partisë.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu edhe çdo opsion të mundshëm që do të sillte edhe pajtimin midis të dorëhequrve dhe krahut të Kurtit.
Në anën tjetër, kryetari i sapo zgjedhur, “baba” i Vetëvendosjes, duke mos folur me emra, ka thënë se ka raste kur brenda Vetëvendosjes edhe janë keqtrajtuar gratë, duke bërë të ditur në bazë të përshkrimit mund të bëhet fjalë për ngacmime seksuale.
“Kemi raste kur vjen një vajzë në Lëvizjen Vetëvendosje. Vjen një herë, vjen dy herë… edhe nuk vjen më . Aty ka ca burra, djem që i lëshojnë fjalë “, është shprehur ai.
Molliqaj ka thënë gjithashtu se pakënaqësitë kishin filluar kur Kurti, në prill të 2016-tës, kishte kërkuar që të mos viheshin vija të kuqe për koalicion të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës.
Madje, kishte ndodhur edhe një organizim për të rrahur antarët e kryesisë, sipas tij, në kohën kur ata kundërshtonin kandidaturën e Kurtiti për kryeministër në zgjedhjet qëndrore.
E kundër Kurtit është deklaruar tashmë edhe Donika Kadaj-Bujupi. Ajo konsideron që ndarja e partisë është e pakontestueshme dhe taborët tashmë ekzistojnë, e kush është afër Kurtit është i privilegjuar.
Ajo madje pranon që Kuvendi nuk ka opozitë të mirëfilltë, duke u deklaruar se është kundër kthimit të Kurtit në krye të partisë.
Partia Socialdemokrate e cila po përflitet tash e sa ditë në media në bazë të deklaratave është shumë afër formimit. Duke u bazuar në dorëheqje, Kurtit pritet t’i ikin nga partia disa nga themeluesit dhe fytyrat më të zëshme dhe më të votuara, duke ja marrë një pjesë të mirë të elektoratit.
Këtë e bëri të ditur vetë Molliqaj kur deklaroi se nuk do të shkojë në ndonjë parti ekzistuese duke e lënë opsionale krijimin e partisë së re./Express/