Aktuale

Diaspora e fillon votimin

Qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme evropiane e kanë nisur votimin përmes postës për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit. Qytetarët nga diaspora deri më 4 tetor mund të përzgjedhin të preferuarit e tyre që do t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje mbajti mbledhjen, ku u paraqit raporti lidhur me periudhën e regjistrimit për votim jashtë vendit, e cila ka filluar më 30 shtator dhe është përmbyllur më 10 shtator.

Duhet thënë se si asnjëherë më parë, janë mbi 40 mijë persona nga diaspora që kanë aplikuar për të qenë pjesë vendimmarrëse apo për të dhënë votën për udhëheqjen e ardhshme qeveritare.

Gjatë kësaj periudhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 40 mijë e 313 aplikacione për regjistrim dhe prej tyre:

– 5 mijë e 327 aplikacione janë pranuar përmes postës;

– 319 aplikacione janë pranuar përmes faksit, dhe

– 34 mijë e 667 aplikacione janë pranuar përmes e-mail adresave të shërbimit votues.

Nga 40 mijë e 313 aplikacione për regjistrim që janë pranuar dhe proceduar, janë aprovuar 35 mijë e 87 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 5 mijë e 226 aplikacione për shkak të mosplotësimit të kritereve të përcaktuara me ligj.

Për ta nisur këtë proces, gjatë së martës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë hedhjen e shortit për renditjen e 25 partive në fletën e votimit për zgjedhjet nacionale te 6 tetorit.

Partia e parë në renditje me numër 111 është Partia Liberale Egjiptiane. Menjëherë pas saj me numër 112 vjen një ndër partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike e Kosovës.

Poshtë saj, në mesin e partive me numrin më të madh të votuesve, vjen koalicioni AAK-PSD 119, Nisma- AKR- PD 122, Lëvizja Vetëvendosje 126 dhe Lidhja Demokratike e Kosovës 134.

Për qytetarët të cilët votojnë për herë të parë, kjo është një mostër e fletës së votimit që duhet ta kenë para vetës. Në anën e majtë të fletës gjendjen subjektet politike qe duhet votuar vetëm një prej tyre, ndërsa në anën e djathtë gjenden numrat e kandidatëve për deputet nga subjekte politike e që gjithsej lejohet të votohen vetëm 5 kandidatë.

Ajo që nuk duhet të bëjnë votuesit është të zgjedhin dy subjekte politike për t’i votuar pasi si përfundim vota shpallet e pavlefshme ose nëse zgjedhin më tepër se pesë kandidatë për deputet për t’i votuar atëherë votuesi i numërohet vetëm vota për subjektin politike por jo për kandidatët për deputet”.