Aktuale

Dialogu me Serbinë dha rezultate pozitive, mbeten disa marrëveshje të zbatohen

​Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka dhënë rezultate pozitive për Kosovën, por mbeten edhe disa marrëveshje që ende nuk po zbatohen nga Serbia. Kurse, Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të ekzistojë vetëm brenda një kornize të qartë ligjore dhe kushtetuese.

Kështu u tha në një tryezë e diskutimit me temën ”4 vite pas Marrëveshjes së Prillit midis Kosovës dhe Serbisë: Sa po ndihmon dialogu politik?”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Në këtë konferencë u tha që dialogu është qenësore për rrugën e të dy vendeve në drejtim të Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka dhënë rezultate pozitive për Kosovën. Po ashtu, ai tha se ky dialog ka dhënë rezultate të mirë për arsye se e gjithë marrëveshjet janë arritur mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

 

“Qëllimet themelore janë arritur në disa fusha, ajo që është themelore është shtrirja e sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit. Është përfshirja e qytetarëve serb në institucionet e Republikës së Kosovës, është zvogëlimi i dëmeve ekonomike dhe ekonomisë informale të shkaktuara nga strukturat paralele por edhe ndërlidhjes së shtetit serb në disa komuna dhe në disa kompan, është avancimi i rrugës së Kosovës për integrime evropiane. Është një prej rezultateve që nuk konsideroj që e kemi si kontribut edhe të dialogut është arritja e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, për të cilën marrëveshje na obligon edhe më tutje që të vazhdojmë me dialogun me Serbinë dhe të implementojmë marrëveshjen nga ky dialog”, tha ai.

Ai tha se e arritur tjetër është edhe vendosja e reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në disa fusha, në fushën e lëvizjes së lirë, në fushën e tregtisë së lirë, në fushën e njohjes së diplomave, të sigurimit të automjeteve etj.

Po ashtu, ai tha se në bazë të kësaj marrëveshje, Kosova ka marrë edhe kodin e saj telefonik.

Kryeministri Mustafa përmendi edhe disa marrëveshje të cilat kanë mbetur akoma në vazhdim.

 

“Kanë mbetur akoma në vazhdim që të implementohet marrëveshja për energji, për të cilën jemi marrë vesh në vitin 2015, marrëveshja për kadastër, për diploma, pastaj marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sa i përket Asociacionit është pjesë gati kryesore e marrëveshjes së parë të arritur në Bruksel dhe po ashtu është komponentë themelore e marrëveshjes së dytë që e kemi arrit në Bruksel. Kjo marrëveshje është trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, por ajo që ne kemi arritur në vitin 2015 sa i përket kësaj marrëveshje është se për herë të parë e kemi caktuar që Gjykata Kushtetuese duhet të jep opinionin e vetë lidhur me implementimin e kësaj marrëveshje dhe Serbia ka pranuar që komponentë e kësaj marrëveshje të jetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova tha se rezultate të arritura nga marrëveshja e Kosovës me Serbinë, tha se 6 pika vendkalime kufitare janë themeluar duke funksionuar mjaftë mirë, doganat dhe detyrimet po mbledhen dhe nëse i vendosim në shifra deri më tani 300 milionë euro janë mbledhur në këto pikë kalime kufitare.

Si arritje kryesore ajo e cilësoj Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit që për herë të parë Kosova ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Sipas saj, të gjitha këto nuk do të kishin ndodhur pa dialog.

Ajo tha se për të pasur diskutime domethënës duhet të reflektohet mbi dialogun se çka do të thotë dhe se çka mund të përmirësohet në këtë dialog.

 

“Është interes kombëtar i Kosovës para së gjithash të zgjedhin çështjet e hapura me Serbinë përmes normalizimit të marrëdhënieve. Shumë më rëndësi të përmendet se këto normalizime të marrëdhënieve duhet të kenë synim përmirësimin e jetës së njerëzve. E tërë kjo çka është bërë në këtë dialog duhet të jetë për qytetarët e Kosovës dhe për individët serb apo i synohet qytetarëve. E dyta përmirësimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbëve duhet të jetë e dyanshme dhe proces i dyanshëm dhe i pajtueshëm dhe e treta duhet të ndihmohet Kosova që të arrijë përparim në rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Apostolova tha se dialogu Prishtinë-Beograd është një mjet që kombinon të gjitha këto prioritete, prandaj është në interes kombëtar të Kosovës që të marrë pjesë në këtë proces dhe të luaj një rol aktiv dhe konstruktiv.

 

“Përparimi në dialog është parakusht për dy palët që të bëjnë përparim në rrugën e tyre respektive drejtë BE-së, prandaj dhe natyrisht këndvështrime të ndryshme janë kryer dhe janë më së të pranueshme duhet të shohim se si dialogu po komunikohet apo mbi rezultatet që janë arritur. Mirëpo, duhet të jetë një këndvështrim i përbashkët, në një kuptim se procesi më i rëndësishëm politik në regjion dhe realisht nuk ka një alternativë tjetër. Kur e vlerësojmë dialogun dhe rezultatet e tij duhet të rikujtojmë dhe të krahasojmë situatën në 2011, 2012, ka filluar dialogu dhe në atë kohë nuk ka pasur ndonjë rrugë evropiane për Kosovën”, tha ajo.

Agron Bajrami, kryeredaktor i Koha Ditore, i cili bëri prezantimin e raportit të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, prezantoi rekomandimet që të mund të implementohet marrëveshja për Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

“I pari ka të bëjë me çështjen e sovranitetit të Kosovës, për të cilin mendoj që nuk mund të anashkalohet në çfarë do lloj marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, asociacioni mund të ekzistoj vetëm brenda një kornize të qartë ligjore, kushtetuese andaj është qenësore që të gjitha palët veçanërisht, Serbia por edhe Bashkimi Evropian të njohin kornizën ligjore dhe kushtetuese brenda së cilës duhet të bëhet asociacioni. Në pikën e dytë e adresojmë nevojën për të pasur një pajtim të plotë rreth asaj se çka në të vërtetë është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, kemi pas interpretime të ndryshme se është një OJQ. Mendoj se ky pajtim rreth asaj se çka është asociacioni duhet në fakt të jetë përkrahës për funksionimin e Kosovës si tërësi”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se rolin lehtësuese të cilin e ka ndërmarrë BE-ja duhet të përfshijë edhe rolin e interpretuesit suprem të marrëveshjeve të arritura. Sipas tij, nëse BE-ja vazhdon ta refuzojë rolin e arbitrit final, zbatimi i kësaj dhe i marrëveshjeve të tjera do të mbetet pak i mundshëm.

Gjithashtu, rekomandim ishte që qeveria e Serbisë duhet të pajtohet dhe të pranojë se Asociacioni nuk është autonomi territoriale./KP/