Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme edhe gjatë këtij viti është përballur me ngarkesë të madhe me lëndët dhe me një mori problemesh që e kanë vështirësuar punën në këtë gjykatë.
Kryetari i kësaj Dhome, Sahit Sylejmani në konferencën e fundit për medie për këtë vit, tha se në fillim të vitit ishin pa u kryer nga vitet paraprake me gjithsej 22 mijë e 27 lëndë të të gjitha natyrave, kurse prej 3 janarit e deri më 16 dhjetor janë pranuar edhe 1 mijë e 737 lëndë të reja që gjithsej në punë ishin 23 mijë e 764 lëndë.
Ndërsa, sipas tij, brenda këtij viti janë zgjidhur vetëm 2 mijë e 230 lëndë të të gjitha lëmive.
“Gjatë kësaj periudhe, pra për këtë vit, janë zgjidhur 2 mijë e 230 lëndë të të gjitha natyrave në të dy shkallët. Dhoma e Posaçme i ka pesë kolegje të specializuara dhe kolegjin e Apelit. Pra, në dy shkallët janë kryer 2 mijë e 230 lëndë dhe në shkallën e parë janë kryera 1 mijë e 952 lëndë, ndërsa, në kolegjin e Apelit si shkallë e dytë 278 lëndë. Kurse, deri më 16 dhjetor 2016 kanë mbetur pa kryera edhe 21 mijë e 534 lëndë”, tha Sylejmani.
Ai tha se me këtë staf që ka Dhoma dhe me këtë dinamikë të zgjidhjes së lëndëve, këto lëndë të grumbulluara nuk do të zgjidhen edhe 10 vjet, edhe në qoftë se nuk paraqitet asnjë lëndë tjetër.
Sipas tij, është rritur numri lëndëve lidhur me pagat e papaguara, aktualisht sipas tij, janë 12 mijë lëndë në tërësinë e këtyre lëndëve për pagat ose kompensime tjera monetare që punëtorët kërkojnë ndaj ndërmarrjeve shoqërore.
“Me këto rrethana dhe vështirësi që i ceka ne parashikojmë që edhe 10 vjet do të ketë punë, kjo është shqetësuese sigurisht që punëtorët dhe gjithë të tjerët po presin shumë prej Dhomës së Posaçme, mirëpo Dhoma e Posaçme me këto kapacitete që i ka nuk po mund të vepron më shumë në kuptimin e rritjes së efikasitetit të punës”, tha Sylejmani.
Sylejmani kërkoi krijimin e një bazë ligjore për rritjen e numrit të gjyqtarëve, ngase është grumbulluar numri i lëndëve civile.
“Unë vlerësoj se vitin e ardhshëm hapi parë që duhet të ndërmerret lidhur me Dhomën është të ndryshohet ligji i Dhomës së Posaçme. Përkatësisht të ndryshohet dispozita e ligjit që e rregullon organizmin dhe punën e Dhomës së Posaçme. Neni 3.1 i ligjit i cili përcakton se Dhoma duhet t’i ketë 20 gjyqtarë, andaj, ky kufizim ligjor duhet të hiqet meqë Dhoma nuk duhet të jetë gjithmonë me 20 gjyqtarë, por duhet të rritet numri i gjyqtarëve”, tha Sylejmani.
Për vitin e ardhshëm ai tha se duhet të ndërmerren masa si nga Këshilli Gjyqësor, si nga Qeveria e Kosovës dhe organet tjera përgjegjëse për t’i përmirësuar kushtet e Dhomës, dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet Dhoma.
Sylejmani tha se përveç mbështetjes kadrovike, ai tha se Dhoma duhet të ketë mbështetje nga institucionet përkatëse edhe për sa i përket hapësirës për punë. Sipas tij disa prej stafit të Dhomës së Posaqme punët e tyre i kryejnë në njërin nga korridoret në Pallatin e Drejtësisë.
Ai ngriti çështjen e mungesës së gjyqtarëve dhe mungesën e hapësirës për punë, si dhe mungesën e përkthyesve./KP