Policia e Kosovës ka dhënë detaje për trupin e pajetë të gjetur mbrëmë në fshatin Gadime e Ultë e Lipjanit. Sipas zyrtarëve policorë, dyshohet se viktima është Shqipdon Alija, personi i raportuar i zhdukur qysh me datën 14 tetor.
Dje janë mbushur shtatë ditë nga zhdukja e 24- vjeçarit, Shqipdon Alija nga fshati Gadime e Lipjani dhe e gjithë familja është në pritje të Shqipdonit, ndërsa babai i tij ditë më parë ka ndërruar jetë.
Policia pa ndalur ka vazhduar kërkimet e saj dhe ka bërë thirrje për gjithë qytetarët që të ndihmojnë në gjetjen e këtij të riu.
Pas kërkimeve të mëdha mbrëmë vonë është gjetur një trup i pajetë në fshatin Gadime, e që dyshohet të jetë Shqipdoni.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tregon se trupi i pajetë u gjet në një gropë.
“Me datën 21.10.2019 rreth orës 21:30, në fshatin Gadime e Ulët tè Lipjanit, saktësisht në një gropë (te gurthyesi i vjetër), është gjetur një trup i pajetë”, ka thënë Hoxha.
Ai tutje tregon se ekipet e nevojshme policore janë në vendngjarje.
“Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se bëhet fjalë për personin e raportuar të zhdukur me datën 14 tetor. Kanë qenë informacionet e qytetarëve ato që kanë ndihmuar policinë të gjejnë vendndodhjen e personit, për çka i falënderojmë dhe vlerësojmë bashkëpunimin e tyre me Policinë e Kosovës”, ka thënë Hoxha.