Zbardhen të tjera detaje në lidhje me plagosjen e dyfishtë që ndodhi mbrëmjen e djeshme qytetin e Durrësit.
Burime nga policia e qytetit bregdetar bënë me dije për ‘BalkanWeb’ se një person ka hapur zjarr në drejtim të një grupi të rinjsh në lagjen nr.5, ku për pasojë mbetën të plagosur Alfred Skonja dhe 25-vjeçari Ilir Çyrbja.
Mësohet se në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar 9 persona, 2 prej të cilëve në cilësinë e autorëve të dyshuar. Të njëjtat burime theksuan se policia nuk kishte informacion në lidhje me lirimin e Skonjës nga ana e gjykatës, pasi ndaj tij rëndojnë disa akuza.
Sakaq, pohohet se autori që ka qëlluar në drejtim të grupit ka përfituar nga fakti se rruga ka qenë pa ndriçim, e më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
NGJARJA
Dyshohet se një person ka qëlluar me armë në drejtim të një grupi të rinjsh, ku ishin dhe Alfred Skonja, person me precedent penal dhe Ilir Çyrbja, djali i një polici. Burime zyrtare nga policia lokale bënë me dije se ngjarja ndodhi mbrëmë, rreth orës 21:30, në lagjen nr.5 të qytetit bregdetar. Mësohet se nga breshëria e plumbave ka mbetur i plagosur rëndë me një plumb në bark 29-vjeçari Alfred Skonja, i cili është dërguar urgjentisht në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë është plagosur me një plumb në këmbë edhe 25-vjeçari Ismail Çyrbja.
Krismat e armëve kanë terrorizuar banorët, ndërsa forca të shumta policore kanë mbërritur shpejt në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, policia pohoi se dy të plagosurit njihen si përdorues të lëndëve narkotike, ndërsa po punohet intensivisht për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Sakaq, Skonja, me origjinë nga Burreli, prej vitesh jetonte në lagjen nr.5 në Durrës, por kohët e fundit ishte transferuar në lagjen nr.17. Që nga koha që kishte dalë nga burgu, ai frekuentohej me shokët e vjetër të lagjes, dhe rrinte shpesh në lagjen nr.5. /BW/