Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Kundër Terrorizmit, e asistuar nga njësitë relevante policore, sot me datën 26 korrik 2016, ka realizuar një operacion policor, në dy lokacione të ndara në rajonin e Pejës.
Gjatë operacionit policor në të dy lokacionet janë realizuar bastisje, me ç’rast janë arrestuar dy persona të dyshuar për vepra penale të sanksionuara në bazë të Ligjit nr. 05/L-002 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë: E. M. i lindur me 1985 i dyshuar për veprën penale që ka të bëjë me ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit dhe N. K. i lindur me 1983 i dyshuar për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” të KPK-së, si dhe për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.
Gjatë bastisjes së realizuar nga njësitet policore në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar disa materiale që janë relevante për këto dy raste.
Me urdhër të prokurorit i dyshuari i parë është liruar në procedurë të rregullt, kurse të dyshuarit të dytë i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.