Në mëngjesin e sotëm, drejtoria Rajonale e Policisë në Veri ka zhvilluar një aksion policor.
Deri te aksioni erdhi pas hetimeve për muaj me radhë . Si rezultat i kësaj policia ka arritur që të kap tre persona të dyshuar për përfshirje në grabitje.
Zëvendëskomandanti i Policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka treguar për Agjencinë e FaktePlus, se tre të arrestuarit janë shoqëruar në stacion për t’iu marrë deklaratat.
“Drejtoria Rajonale e veriut ka pas një aksion sot në mëngjes, ka arrestuar tre persona të dyshuar në përfshirje në grabitje. Ky operacion është i Policisë së Kosovës, drejtorisë rajonale në veri. Si rezultat i zhvillimit të hetimeve për muaj me radhë, pasi kanë ardhur te provat e mjaftueshme për kryesit e mundshme, policia, përkatësisht hetuesit policorë, drejtoria rajonale me njësit për përkatëse të drejtorisë rajonale të veriut ka identifikuar personat dhe ka shoqëruar në stacion. Ata janë proces të marrjes së deklaratave”, tregoi Hoti për FaktePlus.
Në Prokurorinë Speciale, kanë thënë se ky aksion është vazhdim i aksionit të mëparshëm dhe se bëhet fjalë për kryerjen e veprës penale “Krim të organizuar” dhe “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”.
“Ky aksion është duke u zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe është vazhdim i aksionit te mëparshëm, për arrestimin e tre të dyshuarve për veprat penale “Krim të organizuar” dhe “Keqpërdorim te pozitës zyrtare”’, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu.
Kujtojmë se më 16 tetor, ditë e mërkurë, që nga orët e hershme të mëngjesit Policia e Kosovës nisi aksion policor në veri me ç’rast u arrestuan dy persona, e njëri është ende në kërkim, nën dyshimin për vrasjes e Oliver Ivanoviqit.
Rade Basara, është njëri prej policëve të arrestuar të cilit iu dha një muaj paraburgim, derisa, Zhelko Bojiq, është duke u kërkuar. Hetuesi i PK-së i arrestuar Rade Basara po hetohet nga PSRK për keqpërdorim të detyrës zyrtare që lidhet me hetimet dhe vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Pos kësaj, ai po hetohet edhe për “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”.
Kolegët e tij e kanë kërkuar në dy lokacione të ndryshme edhe Zhelko Bojiqin, shef i operativës se Policisë për komunat veriore, por nuk kanë arritur ta gjejnë atë. Në njërin lokacion, megjithatë, e kanë arrestuar djalin e tij, Vasilje Bojiq, sepse i janë gjetur armë dhe municion, por ai është liruar pasdite në procedurë të rregullt dhe do të hetohet vetëm për armëmbajtje pa leje.