Aktuale

Detaje rreth dëmtimit të minares së xhamisë në Velekincë

Është identifikuar personi i cili ka hipur në minaren e xhamisë në fshatin Velekincë të Gjilanit për ta dëmtuar. Bëhet fjalë për shtetasin serb B.V i moshës 35 vjeçare.

Kështu ka konfirmuar për KosovaPress-in zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit Ismet Hashani.

Ai gjithashtu ka dhënë versionin zyrtar të ngjarjes , ku ka treguar se Policia e Kosovës kishte arritur në vendin e ngjarjes në momentin kur ai ishte duke dëmtuar minaren dhe ka provuar që të negociojë me të.

Ai nuk i kishte përfillur urdhrat e policisë, dhe pas refuzimit për bashkëpunim, Policia ka ndërhyrë me ç ‘rast kanë arritur që ta zbresin nga minarja.

Me të zbritur nga minarja ai, është arrestuar në qendrën emergjente në Gjilan, ku edhe ishte dërguar për të marrë trajtim mjekësor, nën përcjelljen e patrullave policore.

“Rasti është marrë nga prokurori përkatës për “asgjësimin apo dëmtim të pasurisë””, ka thënë Ismet Hasani për KosovaPress-in.