Aktuale

Detaje nga ngjarja në Zvicër, ku 54-vjeçari nga Kosova vrau dy gra

Me dy gra të vrara ka përfunduar një tragjedi e shkaktuar nga kosovari R.B. 54 vjeç që jeton në Zvicër, mëngjesin e së hënës.

Njëra nga dy gratë e vrara në banesën në kantonin e Argaut, sipas mediave zvicerane, është bashkëshortja e vetë dorasit A.B. 38-vjeçare, ndërsa edhe për tjetrën supozohet të jetë anëtare e familjes.

Kosovari është arrestuar në qytezën Hausen të Zvicrës, aty edhe ku banonte.

Policia e kantonit të Aargaut, deri më tash ka konfirmuar krimin dhe arrestimin e një të dyshuari, po nuk ka dhënë detaje për gruan tjetër që u gjet e vrarë.

“Sot në mëngjes i kemi gjetur dy gra të vdekura, behet fjalë për një delikt të dhunshëm. Një person të dyshuar e kemi arrestuar. Për momentin, kemi dyshime se krimi ka të bëjë me lidhje familjare”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Barbara Breitschmid”.

Banorët përreth vendit të krimit i kanë thënë gazetës “20 minuta” se çifti nuk ishte shumë kohë që ishin vendosur të banonin në apartamentin ku ndodhi vrasja e dyfishtë.

Prokuroria ka iniciuar autopsinë për viktimat.