Aktuale

Dështon seanca gjyqësore kundër Azem Sylës dhe të tjerëve në rastin Toka

Ka dështuar sërish të mbahet seanca gjyqësore kundër Azem Sylës dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Toka”. Arsye për dështimin e kësaj seance, ku pritej që palët ta japin fjalën hyrëse, ka qenë mungesa e tre avokatëve të të akuzuarve të tjerë. Ndërkohë, që seanca e radhës është caktuar të mbahet më 12 mars të këtij viti.

Mungesën e avokatëve në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra e ka konsideruar papërgjegjësi totale ndaj sistemit gjyqësor, derisa ka paralajmëruar se kjo është hera e fundit që seanca shtyhet për shkak të mungesës së avokatëve.

“Kjo është papërgjegjësi totale ndaj sistemit gjyqësor dhe po ju vë në dijeni që kjo është hera e fundit që bëhen shtyrje për shkak të mungesës së avokatëve gjatë seancave”, ka thënë Kalludra.

Ai ka bërë të ditur se seanca e radhës është caktuar të mbahet më 12 mars të këtij viti.

Në këtë rast Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Rasti është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Beqir Kalludra, Shashivar Hoti, e Violeta Namani ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurori special Naim Abazi.