Mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka dështuar të mbahet në mungesë të korumit, megjithatë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se vazhdimi i seancës së kaluar do të mbahet të enjten, ndërsa, një seancë e re do të jetë të premten. Kështu sipas Veselit do të vendoset nesër në një mbledhje të re të kryesisë së Kuvendit.
Kurse, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj tha se me këto dështime, e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet.
“Siç po e shihni prapë një dështim i kryesisë, edhe pse i kanë numrat kushtetues, nuk ka funksionim të sistemit apo nuk ka funksionim të institucionit. Është për të ardhur keq në çfarë gjendje kemi rënë, prandaj, mund të them lirshëm që sa më parë që shkohet në zgjedhje, aq më mirë janë për qytetarët e Kosovës sepse me këtë Qeveri tashmë janë ngopur qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Kryeparlamentari Kadri Veseli i pyetur se a ka hequr dorë koalicioni qeverisës për procedimin e demarkacionit gjatë këtij viti, ka thënë se nuk është korrekte që kosovarët të mos lëvizin lirshëm për shkak të demarkacionit dhe se pret që shumë shpejtë Mali i Zi t’i drejtohet instancave të BE-së, për të thënë publikisht që nuk do të ishte mirë që për këtë çështje qytetarët e Kosovës të mbesin të izoluar. Këtë thotë se ia kenë kërkuar zyrtarisht Malit të Zi.
“Demarkacioni është bërë një histori e gjatë, e cila vetëm është duke e dëmtuar Kosovën dhe qytetarët e vet. Ajo do të duhej të ishte e përfunduar, për arsye se po rrezikojmë izolimin e padrejtë të qytetarëve për një kusht të padrejtë, që iu ka vu qytetarëve tanë. Sido që të jetë demarkacioni nuk është çështje e problematikës në mes të marrëdhënieve tona me republikën e Malit të Zi. Presim, unë kam vu disa kontakte dhe presim që bartësit më të lartë institucional në Republikën e Malit të Zi, do ta thonë këtë dhe publikisht, duke iu drejtuar dhe instancave të BE-së që për çështjen e demarkacionit nuk do të ishte mirë që qytetarët të jenë të izoluar”, tha ai.
Ndërsa, Glauk Konjufca nga VV thotë se vendi sa më parë duhet të shkojë në zgjedhje dhe se këtë nuk po e kundërshtojnë as ndërkombëtaret. Konjufca thotë se Kosova nuk ka llogari ta mbajë këtë Qeveri, e cila po del të jetë dhe vdekjeprurëse për qytetarët e Kosovës.
“Dështimi i demarkacionit dhe brenda mazhorancës ka zëra kritik, ka zëra kundër që demarkacioni është bërë në mënyrë të gabueshme, pa kujdesinë e duhur dhe se Kosova po humb në këtë proce, atëherë këto dy procese janë të mjaftueshme që të shkohet në zgjedhje. Aq më shumë tash që ka edhe probleme shtesë, djemtë më të mirë të Kosovës, të burgosurit politik, kanë filluar dhe të vdesin dhe ta humbin jetën nëpër burgje të Kosovës. Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk kemi llogari më ta mbajmë këtë Qeveri, e cila po del të jetë dhe vdekjeprurëse për qytetarët e republikës së Kosovës. Sa më shpejtë që do tu hapet rrugë zgjedhjeve, unë mendoj që do të ishte lajm shumë i mirë për republikën e Kosovës”, tha ai.
Ata kanë folur edhe për kodin telefonik të cilin e ka marrë Kosova./KP