Aktuale

Dështon futja në rend dite e debatit për plotësim ndryshimin e ligjit për Specialen

Është rikthyer serish në seancën e sotme kërkesa e deputetit Nait Hasani, për futjen në rend dite ligjin për Gjykatën Speciale. Kësaj radhe grupet parlamentare përkrahen kërkesën e Hasanit, por që kjo të bëhet në bazë të procedurave të kërkohen për shqyrtimin dhe plotësimin e një ligji të caktuar.

Deputeti i PDK-së Nait Hasani, në kërkesën e tij, tha se ai ka propozimin e shoqatave, propozimin e familjeve të dëshmorëve dhe kërkesën e nënshkruar nga gjashtë deputetë për debat për Ligjin për Gjykatën Speciale, për plotësim ndryshimin e tij.

 

“Këtë e kam kërkuar dhe po e kërkoj pikërisht për shkak se kjo gjykatë trajton vetëm ushtarët e UÇK-së, nuk trajton asnjë rast të policisë, të ushtrisë, të serbëve të cilët kanë bërë krime në Kosovë. Prandaj po kërkojmë që të vihet në rend dite plotësim ndryshimi dhe që kjo Gjykatë të jetë pjesë e Kosovës si Gjykatë Speciale edhe të jetë pikërisht për juridiksionin mbi krimet kundër njerëzimit dhe jo t’i trajtojë dhe t’i barazojë ato”, tha Hasani.

Partia e Hasanit, PDK, kësaj radhe mbështeti kërkesën e tij, gjë të cilën nuk e kishte bërë në seancën e kaluar.

Shefi i deputetëve të PDK-së Zenun Pajaziti, tha se janë të gatshëm t’i dhënë dritën e gjelbër për të ndjekur procedurat për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

 

“Për sa i kam konsultuar deputetët e PDK-së ne mbështesim, meqë kjo kërkesë vjen edhe nga përfaqësuesit e shoqatave të ndryshme dhe komuniteteve të ndryshme dhe meqë kjo temë është me të përfolura dhe me të ndjeshme, dhe kërkesa nuk mund të mos trajtohen. Ne jemi për, në përputhje me ligjet në fuqi, rregulloren me i dhënë dritën jeshile procedurave për ndryshimin. Ky Kuvend jo rrallë ka bërë nisma për ndryshime të ligjeve, por kjo nëse kërkohet edhe për debat ne i japim mbështetje”, tha Pajaziti.

Edhe Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së theksoi se sot pa asnjë letër, pa asnjë dokument, në LDK nuk janë që të mos diskutohet, por sot nuk ka mundësi të futet në procedurë.

 

“Është shumë e qartë se si është e rregulluar çështja e procedimit të projektligjeve dhe amendamentimit të tyre. Ne asnjë nuk e kemi fshehur dhe kemi diskutuar edhe më herët kur është miratuar Gjykata Speciale kemi shprehur shqetësimet tona. Por ajo që sot pa asnjë letër, pa asnjë dokument, ne nuk jemi të mos debatohet kur t’i vijë radha edhe për këtë çështje por janë procedurat dhe edhe po të donim ne nuk mund t’i ndalim procedurat e tilla. Por sot nuk ka mundësi, s’ka se si të futet kjo në procedurë, por të respektohen procedurat”, tha Beqiri.

Ndërsa, shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca, theksoi se qysh atëherë kanë kërkuar mos miratimin e ligjit për specialen sepse është një etnike dhe paragjykon UÇK-n si kriminele, madje funksionon mbi sistemin e drejtësisë.

Konjufca ftoi të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike të ulen e t’i paraqesin propozimet e veta dhe t’i harmonizojnë dhe të vijnë pastaj në Kuvend me një projekt shumë të qartë.

 

“A i patët mendtë në kokë atëherë kur i ngritët duart për ta votuar gjykatën speciale, apo vetëm pse ju tha Hashim Thaçi ta votoni gjithqysh. Apo mos ka qenë atëherë ndonjë Pazar kanë do ta marr e kanë s’do ta marr e tash nuk iu ka dal bash qashtu, e tash duhet ta ngritësh në pikëpyetje Specialen, a mos është edhe kjo rastësisht. Mos nuk po flitet këtu për interesa të Kosovës, por për interesa të ndokujt që nuk i ka dal matematika bash tamam, mosni kështu, e keni bërë amendament kushtetues Gjykatën Speciale….Ju e keni votën tonë, këtu në Kuvend po ua garantoj në momentin që doni ta zhbëni Gjykatën Speciale”, theksoi Konjufca.

Ai shtoi se Vetëvendosje nuk është kundër një departamenti që do t’i trajtojë krimet e luftës, pasi çdo shtet në ish- Jugosllavi e ka pasur nga një gjykatë speciale vendore.

Edhe Daut Haradinaj, në emër të AAK-së, tha se kanë qenë dhe janë kundër Gjykatës Speciale. Tha se nëse deputetët e pozitës e kanë seriozisht atëherë ata do t’i përkrahin, por jo vetëm sa për të bërë debate për folklorizma.

 

“Shpresoj që e kanë seriozisht edhe nëse e kanë seriozisht jo vetëm unë si deputet por besoj edhe kolegët e mijë të Aleancës janë edhe për debat, por edhe do ta votojnë çfarëdo versioni që këta do të jenë të gatshëm të ndëshkojnë krimet serbe të panumërta që janë në Kosovës, duke filluar nga krerët e shtetit në Serbi që kanë qenë pjesë e një organizate të përbashkët kriminale të Millosheviqit e të cilët Qeveria jonë në vazhdimësi i ka trajtuar si homologë e si kolegë. Në rast se përnjëmend e kanë edhe po duan të bëjnë debat, sa për folklorizëm lene debatin krejt, nëse e keni bërë njetë me e zhvendos edhe me e tërheq atë Ligj, shko silleni Listën Serbe ejani në sallë edhe ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë”, tha Haradinaj.

Edhe Nisma për Kosovën e ka mbështetur plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Specialen. Deputeti i Nisma për Kosovën Enver Hoti, tha se mbështesin iniciativën e Hasanit.

 

“Ne e mbështesim iniciativën e Hasanit për ndryshimet që mund të bëhen, por me të vërtetë është për tu befasuar që disa deputetë që janë krah nesh, nga shumica iu duke pak njëra dorë, tentonin t’i ngritin të dyja duart për ta votuar dhe thirrnin lavde se si është obligim dhe i hap perspektivë vendit, prandaj po ndihem mirë që nuk po ua shoh fytyrat se i kam mbrapa, por do të doja të i shihja ato fytyra të shëmtuara që ngritin edhe dy duar për t’i bërë një të keqe vendit”, u shpreh deputeti Hoti.

Javën e kaluar deputeti Hasani kishte kërkuar në seancë plenare futjen në rend dite të kësaj pike, por që krerët e Organizatave të Dala nga Lufta, penguan seancën pasi kërkonin nga deputetët e pushtetit votimin e mocionit të Hasanit dhe futjen në rend dite, meqë koalicioni nuk kishte vullnet ta përkrahte këtë kërkesë./KP