Aktuale

Dështojnë kandidatët nga Llapi

Në zgjedhjet që janë mbajtur më 11 qershor në të gjitha partitë pati kandidatë që janë nga Podujeva ose e kanë prejardhjen nga kjo trevë.

Por vetëm tre nga ta kanë arritur të marrin votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës.

Fidan Rekaliu dhe Doruntinë Maloku nga LDK dhe Saranda Bogujevci nga Lëvizja Vetëvendosje kanë arritur që të hyjnë në Parlament.

Nga PDK-ja asnjë nga kandidatët nga kjo komunë nuk ka arritur të marrë vota.

Ish komandati i FSK-së Kadri Kastrati ka marrë vetëm 5772 vota, Naim Fetahu ka marrë 7030 vota, Muhamet Latifi 5035 vota, Fadil Fazliu 5072 vota.

Nga AAK deputet nuk ka arritur të bëhet as Fatmir Humolli njëri nga ish-komandantët e UÇK-së i cili në këto zgjedhje ka marrë vetëm 4191 vota e as Besnik Tahiri që është me prejardhje nga kjo komunë e që ka marrë 8078 vota.

Edhe pse Llapi konsiderohet që është bastion i LDK-së kandidatët e saj që janë nga kjo komunë ose kanë prejardhjen nga Podujeva nuk kanë marrë vota të mjaftueshme.

Madje Llapi ndëshkoi keq njerëzit e parë të LDK-së me prejardhje nga Llapi.

Sabri Hamiti në këto zgjedhje mori 3103 vota, ish ministri Skender Hyseni ka marrë vetëm 2068 vota në tërë Kosovën, ish-komandanti i UÇK-së dhe ish deputeti Nuredin Ibishi ka marrë kësaj radhe 3256 vota, Vezir Januzi 5756 vota, Liman Zeqiri 4878 vota, Sokol Havolli 5859.

Nga LDK deputet ka arritur të bëhet deputet vetëm Fidan Rekaliu dhe e bija e veprimtarit të njohur Enver Maloku, Doruntinë Maloku.

Nga Lëvizja Vetëvendosje vota ka marrë vetëm Saranda Bogujevci e cila në këto zgjedhje ka dalë me 5858 vota.

Në këtë Lëvizje për herë të parë ka kandiduar edhe Ajet Potera, ish epror i UÇK-së. As Potera nuk ka arritur të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës.

Potera ka marrë besimin e 5780 votuesve ndonëse Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë ka marrë më shumë se 10 mijë vota.

Vota s’kanë marrë as kandidatët Bajram Ajeti e Shemsije Vokrri./KosovaPress/