Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se deri më tani akoma nuk kanë ndonjë informacion nëse shpërthimi ka prekur shtetasit kosovarë në Francë.
Në një përgjigje elektronike për KosovaPress, shefi i kabinetit të ministrit të MPJ-së, Bashmir Xhemaj, ka bërë të ditur se nga momenti i sulmit, ambasada franceze ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze të sigurisë, por sipas tij, numri i viktimave është i madh dhe ende ka pak informacione për sulmin, motivet dhe përkatësinë e viktimave.
“Për këtë qëllim Ambasada në Paris, ka vënë në dispozicion një numër emergjent për shtetasit kosovarë për të adresuar çfarëdo pyetje dhe nevoje. Numri i telefonit është: (+33 6 03 33 03 18)”, thuhet në deklaratën e Xhemajt.
Më tej, MPJ u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i informojnë familjet e tyre për gjendjen e tyre aktuale ndërsa shërbimi diplomatik dhe konsullor i Republikës së Kosovës në Paris, do të jenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës.