Në Kosovë janë raportuar edhe tri raste të reja me koronavirus, duke e ngritur numrin e përgjithshëm në 94.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka konifrmuar edhe tri raste të reja me koronavirusin e ri. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 94.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, dy prej të cilave me vendbanim në Prishtinë dhe një me vendbanim në fshatin Kijevë-Malishevë”, thuhet në njoftim.
Më shumë se 30,000 njerëz kanë vdekur në të gjithë botën nga virusi.
Në Mbretërinë e Bashkuar, 209 persona kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit, duke rritur numrin e vdekjeve në 1,228.
Kryeministri, Boris Johnson, paralajmëroi se gjërat do të përkeqësohen para se të përmirësohen.
Në SHBA, zyrtari i lartë shëndetësor, Anthony Fauci, ka paralajmëruar se situata atje mund të përkeqësohet dhe se 100,000 deri në 200,000 amerikanë mund të vdesin nga Covid-19.
Italia ka shënuar 765 vdekje nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Numri i përgjithshëm i vdekjeve në këtë vend ka arritur në 10,779.
Spanja ka regjistruar 838 vdekje të tjera në 24 orët e kaluara – rritja më e lartë ditore e vdekjeve deri më tani.
Ministri i Financave i landit gjerman të Hesses, Thomas Schäfer, është gjetur i vdekur, thotë policia. Bazuar në rrethanat, hetuesit supozojnë se politikani i Partisë Demokristiane (CDU) kishte bërë vetëvrasje, tha policia në një deklaratë.
Në një video mesazh, kryeministri i landit Hesse, Volker Bouffier, thuhet se aludoi në sfidat që ministri Schäfer po përballej në trajtimin e efekteve ekonomike të krizës së koronavirusit.
Australia gjithashtu ka forcuar rregullat e saj, duke përfshirë kufizimin e tubimeve publike për vetëm dy persona, dhe mbylljen e të gjitha këndeve të lojërave, palestrave në natyrë dhe parqeve.