Në atë kohë ishte vetëm 25-vjeçare kur Njomza Emini nënshkroi në Deklaratën e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008.
Kësisoj ajo u bë deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, e cila nënshkruan për një akt historik siç ishte formimi i Kosovës, shtet i pavarur e sovran.
Me emocion e me lumturi ajo tregon gëzimin që ka pasur atë ditë.
“Më 17 shkurt kam fluturuar nga gëzimi”, nis rrëfimi i Njomzë për gazetën Zëri, e cila ndihet e nderuar që ka qenë pjesë e asaj legjislature.
“Kam pasur nderin të udhëheq punimet e seancës së parë të kësaj legjislature bashkë me deputetin më të vjetër, akademik Mark Krasniqin. Ndihem krenare që kam pasur fatin dhe mundësinë të nënshkruaj në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Më 17 shkurt të vitit 2008 kam ‘fluturuar’ si flutur. Mbase kjo është shprehja më e përshtatshme që mund t’i përshkruajë ato momente”, u shpreh Njomza.