Aktuale

Deputetja e PDK-së, thotë se presin sqarime nga Haradinaj për shefin e AKI-së

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së pret sqarim nga kryeministri Ramush Haradinaj lidhur me pozicionin e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Kjo pasi Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së ka mbajtur mbledhjen në mungesë të përfaqësuesve të AKI-së, meqenëse drejtori Driton Gashi nuk kishte ardhur për të raportuar lidhur me arrestimin dhe deportimin e gjashtë gylenistëve që ndodhi më 29 mars.Zëvendëskryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu, tha se sot ishte hera e tretë që i është dërguar ftesë AKI-së për të raportuar para Komisionit, porse një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Madje, lidhur me deklaratat e kryeministrit, se ai e ka kryer punën sa i përket kësaj çështje, Musliu tha se kjo çështje nuk përfundon pa u sqaruar njëherë e mirë pozicioni i drejtorit të AKI-së.

Përveç kësaj, ajo tha se nuk do të ndalen si komision derisa të kenë një sqarim të saktë nga AKI lidhur me atë që ka ndodhur ditën e arrestimit të gjashtë gylenistëve.“I kemi bërë tri kërkesa, dy herë e kemi ftuar të premten, dhe sot është hera e tretë dhe jemi pa përgjigje.

Ajo çka u vendos si Komision, pas diskutimeve, është që në rend të parë të marrim një sqarim nga kryeministri, saktë të dimë për pozicionin e drejtorit të AKI-së, se është liruar apo vazhdon të jetë në detyrë. Sepse në bazë të ligjit dhe kompetencave që i kemi si Komision Parlamentar për mbikëqyrje të AKI-së, dhe në bazë të praktikave të kaluara, ne është dashur të kemi një dokument zyrtar, ose një vendim zyrtar nga Zyra e Kryeministrit dhe të njoftohemi në detaje për hapat që janë marrë për lirim e detyrës.

Deri më sot, kur unë po flas, ne nuk kemi një dokument të tillë, andaj pa u sqaruar pozicioni i tyre, ne nuk do të vazhdojmë me ftesa të tjera, sepse pavarësisht se është shumë e rëndësishme t’i kemi ata këtu, ta informojmë publikun dhe vet të informohemi si deputetë sepse jemi total tà « painformuar sa i përket ngjarjes, e kemi të pamundur të ftojmë dikë tjetër”, theksoi ajo.Lidhur me atë se a do të ketë një komision hetues për të zbardhur këtë çështje, Musliu tha se një gjë e tillë është kompetencë e Kuvendit, pasi që Komisioni për Mbikëqyrjes e AKI-së nuk është komision hetues, por mbikëqyrës.