E shpallur si deputetja më aktive në njërën nga legjislaturat e kaluara, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku i ka hyrë sërish garës për të fituar ulësen në Kuvendin e Kosovës.
Angazhimi i saj politik për një sistem që për qëllim ka barazinë sociale, do të jetë sërish fokusi i mjekes epidemologe e cila njëherësh është edhe nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje.
Zotohet se i tërë potenciali i saj profesional e politik do të shkrihet në përpjekjet për barazi gjinore, në një vend ku femra vazhdon të mos jetë e përfaqësuar. Përmirësimi i sistemit shëndetësor thotë se do të jetë një ndër prioritet e Lëvizjes Vetëvendosje, duke mos lënë anash as atë arsimor i cili deri tani ka lënë shumë për të dëshiruar.
Në një intervistë për KosovaPress-in Fatmire Mulhaxha Kollçaku, ka shpalosur vizionin e saj për çështjet më të rëndësishme në vend, si dhe planet e Lëvizjes Vetëvendosje për një ndryshim rrënjësor menaxherial në institucionet e Kosovës.
“Si prioritet kryesor është të sundojë më në fund rendi dhe ligji në këtë shtet. Të gjithë ne që jetojmë në Kosovë e dimë se si qëndron situata deri më tani. Ne pretendojmë për një barazi sociale, për një shtet ku nëse ka barazi për të gjithë atëherë mund të ketë barazi edhe për grupe e kategori të veçanta. Do të thotë do të ketë barazi edhe për individ. Për momentin nuk qëndron ashtu”, thotë Kollçaku.
E specializuar në menaxhment shëndetësor për epidiomologji, angazhimi në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, si dhe përvoja prej një politikane të suksesshme, ka bërë që të jetë vazhdimisht e zëshme kur bëhet fjalë për gratë. Kollçaku thotë se do të vazhdojë të trajtojë këtë çështje, të cilën e ka analizuar deri në detaje.
Kollçaku thekson faktin se gruaja në Kosovë ndjehet e diskriminuar edhe kur kërkon punë. E diskriminimi më i madh sipas saj ndodh posaçërisht në sektorin privat ku kontratat janë afatshkurtra dhe paraqesin problem për gratë shtatzëna të cilat sipas saj, në të shumtën e rasteve humbin vendin e tyre të punës. Sipas saj, mos vazhdimi i kontratave të punës për gratë shtatzëna përbën diskriminim të heshtur dhe Lëvizja Vetëvendosje zotohet të ofrojë pushimin e lehonisë, sikurse për gratë që punojnë në sektorin publik, ashtu dhe për ato në sektorin privat.
Ajo tha se do të kujdesen edhe në ofrimin e shërbimeve më të mira nëpër çerdhe, në mënyrë që grave nëna t’iu mundësojnë të punojnë pabrenga.
“Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht është angazhuar që pushimi i lehonisë të jetë një e drejtë e garantuar që kryesisht mbulohet nga shteti dhe në pjesën më të vogël nga punëdhënësi. Shteti duhet ta garantojë pushimin e lehonisë sikur në sektor publik edhe në sektor privat, e jo vetëm në sektorin publik. Pastaj nëse një vajzë vendosë me pas fëmijë, ne do t’i mundësojmë asaj që të punojë pa brenga. Për momentin kemi një numër shumë të vogël të çerdheve në Republikën e Kosovës. Dhe ju e dini se numri më I madh I tyre janë çerdhe private e që janë të pakapshme për buxhetin e shumë familjeve. Ndërtimi I 160-të çerdheve në mandatin e parë, anë e kënd Republikës është një ndër prioritetet tona dhe një kontribut për gruan e cila do të punojë pa brengën se çfarë do të ndodhë me fëmijën e saj deri sa ajo është në punë. Në anën tjetër pushimi prindëror do t’iu tak ojë të dy prindërve”, tha Kollçaku.
Si një njohëse e mirë e sistemit shëndetësor, Kollçaku e cila në listën e Vetëvendosjes mban numrin 6, thotë se qeveritë e kaluara kanë dështuar plotësisht në aspektin menaxherial për këtë sektor. Ajo thotë se është e dhimbshme për qytetarët e Kosovës që janë të detyruar të trajtohen në spitalet e Shkupit, duke thënë se kjo situatë është e rëndë jo vetëm për pacientin por edhe vet punëtorët shëndetësor.
“Aksi rrugor që çon drejt Hanit të Elezit, fatkeqësisht është aksi që çdo ditë frekuentohet nga pacientë, në baza ditore qindra e në baza mujore mijëra kosovarë që drejtohen drejt Shkupit për të kërkuar shërbime më cilësore shëndetësore, përkundër faktit që kemi mjek shumë të mirë. Do të thotë kemi mjek shumë të përkushtuar, mirëpo vet sektori i shëndetësisë është I anashkaluar në vazhdimësi nga të gjitha qeveritë e pasluftës. Jo vetëm që është në situatë të rëndë pacienti në këtë rast, por edhe vet punëtori shëndetësor. Në qoftëse një grup i vogël është i korruptuar dhe ka bërë shkelje, unë them se ata duhet të përgjigjen para ligjit. Mirëpo në anën tjetër, ka një dështim të plotë menaxherial në shëndetësi dhe këtu padyshim se fajin më të madh e bartë Ministria e Shëndetësisë”, thekson Kollçaku.
Sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje kjo të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar në vazhdimësi, nënkryetarja e VV-së thotë se në programin e partisë që ajo përfaqëson është rishikimi i kësaj marrëveshje me palën malazeze.
Kritikëve të cilët pretendojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka një tendencë për të mbështetur radikalizmin islam, me theks të veçantë lejimin e shamisë në institucione publike, Kollçaku i ka cilësuar këto deklarata për keqardhje. Madje, ajo thotë se janë tendencioze sidomos në këtë fazë ku edhe po zhvillohet gara për zgjedhjet e 11 qershorit.
Sipas saj, ajo çfarë ka ofruar Vetëvendosje është barazia e cila nuk duhet të diskriminojë as një individ mbi baza fetare apo raciste.
“Besoni, keqardhje më vjen nëse dikujt I shkon mendja e lërë më ta thotë. Po e ritheksoj çështjen e barazisë. Do të thotë në qoftë se ne kërkojmë barazi dhe kërkojmë respektim të të drejtave të njeriut, me një popullsi mbi 95 përqind muslimane, duke I dhënë prioritet të gjitha minoriteteve që jetojnë, të gjithë qytetarëve që jetojnë dhe dëshirojnë të jetojnë në këtë shtet. Në këtë aspekt, në duhet që si qytetarë të Republikës të Kosovës të gjithë të jemi të barabartë. Po e theksoj, nëse është bërë fjalë për aspektin e shamisë që është diskutuar se a duhet të lejohet ose jo, ne kemi thënë se mosha madhore, mosha e pjekurisë është një moshë kur vajza mund të vendosë lirshëm, pa presion nga askush, as nga familja dhe as nga rrethi. Në moshën e pjekurisë, një vajzë mund ta vendosë vet fatin e vet. Nëse kjo është shikuar si një favorizim në atë që nuk po mund as ta përsëris pyet jen që ma bëtë, mua me vjen shumë keq. Këto janë tendenca të kundërshtarëve politik, duke e parë një mbështetje aq të madhe që Lëvizja e ka në këto momente”, thekson Kollçaku.
Nënkryetarja e VV-së thotë se partia e saj do të ta ofrojë një sundim të rendit dhe ligjit, meqë sipas saj aty ku sundon rendi dhe ligji, nuk frikësohen prokurorët, nuk frikësohen gjyqtarët, si dhe ndahet politika nga gjyqësori, gjë e cila shpie në demokraci parlamentare.
Duke folur për sistemin arsimor në vend, Kollçaku thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka program të qartë në këtë aspekt.
“Ne nuk guxojmë të lejojmë që të rinjtë tanë të ikin nga ky shtet, duke mos e parë perspektivën. Nëse I garanton një arsim cilësor, nëse kontribuon edhe në shkollat profesionale për t’i orientuar të rinjtë që të marrin ato profesione që ka kërkesë në tregun e punës, sepse oferta dhe kërkesa duhet të jenë të balancuara, gjë që nuk ndodh. Nëse do t’iu garantojmë një zhvillim ekonomik ku do të përkrahet biznesi, kryesisht biznesi familjar, biznesi I vogël dhe I mesëm, më kredi të buta, me një bankë zhvillimore e cila do t’iu mundësojë marrjen e kredive pa kamata të larta”, tha Kollçaku.
Kollçaku është shprehur e bindur në fitoren e VV-së në këto zgjedhje, duke thënë se nga terreni është parë një mbështetje e jashtëzakonshme e qytetarëve.
Ajo tha se klani ‘Pronto’ dhe njerëzit që deri tani kanë qenë të zhytur në krim dhe korrupsion nuk kanë mundësi që të jenë pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ajo ka shtuar se VV do të angazhohet që në ulëset e Kuvendit të kemi 50 përqind burra dhe 50 përqind gra., meqë sipas saj jemi popullatë në përqindje të barabartë.
Kollçaku është zotuar se VV nuk do të bëjë asgjë më shumë e asgjë me pak sesa mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Republikës./KosovaPress/