Aktuale

Deputeti i Nismës: Thaçi të japë dorëheqje nëse demarkacioni nuk kalon (Video)

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi duhet të japë dorëheqje, nëse marrëveshja për demarkacionin nuk kalon.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Isa Mustafa, se Demarkacioni do të procedohet nëse opozita nuk do dialog, Shala ka thënë në “InfoBox” të RTV Dukagjinit se Nisma ende nuk ka marrë një ftesë zyrtare nga Mustafa.

Ai me këtë rast i ka bërë thirrje Qeverisë që sa më shpejt kjo marrëveshje të procedohet në Kuvend, në mënyrë që puna e këtij institucioni të mund të zhvillohet normalisht.

Shqetësimet e fundit se mosratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi mund ta destabilizojë sigurinë e vendit, për deputetin e Nismës janë të pabaza, pasi sipas tij, zyrtarë të këtij vendi janë shprehur të gatshëm për të biseduar rreth kufirit.

Shala është shprehur i bindur se demarkacioni nuk do të kalojë dhe se kundër versionit aktual do të votojnë edhe deputetë të pozitës të cilët ia duan të mirën këtij vendit.