Aktuale

Deputeti i LDK-së tregon kur do të hedhet në votim rezoluta kundër korigjimit të kufirit

Deputeti i LDK’së, Armend Zemaj, i cili ka përfaqësuar LDK’në në vend të Avdullah Hotit, në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, ka sqaruar për Gazetën Express mungesën e deputetëve të LDK’së sot në seancë dhe ditën kur do të dalë në votim rezoluta për dialogun.
Zemaj ka treguar se dje pasdite është vendosur nga kryesia e Kuvendit që votimi i projektrezolutës së përpiluar nga opozita ku kërkohet që Presidentit Thaci t’i ndalohet të flas me Serbinë për korrigjimin e kufijve, të jetë pikë e rendit të ditës për sot.

“Dje pasdite ishte caktuar vazhdimi i seancës duke futur piken e votimit te rezolutës, për te cilën është dashtë të ketë seance te veçantë ashtu sic debati ka qene nga seanca e veçantë, dhe njehërit duke i dhanë mundësinë e koordinimit mes grupeve parlamentare, eventualisht te qëndrimeve por pa e ndryshuar substancën për piken qe mbron tërësinë territoriale me çfarëdo apo nga kushdo ne procesin e dialogut”, ka thënë Zemaj.

Deputeti i LDK’së thotë se në asnjë moment partia e tij nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj për t’u votuar rezoluta, por vetëm se kanë kërkuar që votimi të bëhet kur të kenë mundësinë gjithë deputetët të jenë në seancë.

“Andaj nuk ishte largim apo ndryshim qëndrimi por vetem saktësim i datës për votim dhe pjesemarrje e te te gjithe deputeteve te Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Zemaj.

Rezoluta e opozitës është hedhur në votim të enjten e kaluar, mirëpo nuk ka arritur të kalojë, duke u votuar vetëm nga 50 deputetë.

Dy partitë më të mëdha opozitare, LDK e Vetëvendosje vazhdojnë ta bojkotojnë Kuvendin dhe kishin lëshuar sallën menjëherë pasi nuk kaloi projektrezoluta.

Dy partitë munguan edhe sot kur u mbajtë seanca e rregullt, ndërsa në Kuvend kanë qëndruar deputetët e PSD’së. /Express/