Shefi i Grupit parlamentar i Listës Srpska, Slavko Simiq, ka thënë se deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës do të votojnë kundër Projektligjit të propozuar për “Trepçën”, transmeton “Koha.net”.
Simiq në deklaratën për agjencinë “Beta” ka vlerësuar se ky projektligj “në mënyrë perfide e ilegale përpiqet ta nacionalizojë kombinatin Trepça”.
“Kur është fjala për Trepçën, dëshirojmë që Prishtina të udhëhiqet me logjikën e konstruktivitetit dhe të refuzimit të çdo lloj tendencash e përpjekjesh të njëanshme për të ndryshuar të drejtat pronësore e strukturat organizative”, ka thënë Simiq.
Ai ka vlerësuar se këtë projektligj e sheh vetëm si problem politik. “Për këtë arsye do të ndërmarrim masa politike që ta përfshijmë bashkësinë ndërkombëtare, ta përfshijmë Beogradin e Prishtinën dhe kështu të nxisim dialog objektiv e konstruktiv, sepse të gjitha kapacitetet e Trepçës, edhe në veri e edhe në jug, janë resurset kryesore edhe për serbë e edhe për shqiptarë”, ka vlerësuar Simiq.
Sipas vlerësimit të tij, për këtë arsye “është krejtësisht e vrazhdë” që me një ligj që përmban “gabim të madh strategjik t’i japë legjitimitet Prishtinës të përvetësojë pasurinë e cila tashmë ka statusin e vet juridik”. Projektligji për “Trepçën” pritet të miratohet nesër në Kuvendin e Kosovës.