Aktuale

Deputetët “sekretë” të Kadri Veselit

Për më shumë se një muaj drejtues të koalicionit PAN vazhdojnë të deklarojnë se i kanë numrat e nevojshëm në Kuvend për ta zgjedhur Kadri Veselin kryeparlamentar dhe Ramush Haradinajn kryeministër të ri.Por, as një ditë para seancës së Kuvendit ata nuk janë në gjendje t’i zbulojnë emrat e deputetëve nga grupet tjera parlamentare që do t’i votojnë kandidatët e tyre për drejtimin e dy institucioneve më të larta shtetërore, shkruan “Zëri”.

Ende mbahen sekretë emrat e deputetëve që do ta votojnë nesër edhe për një mandat në krye të Kuvendit ish-shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin, apo pasnesër Ramush Haradinajn në krye të Qeverisë.

Në anën tjetër, mediet kanë lakuar emrat e deputetëve Teuta Rugova dhe Labinot Tahiri se do të mundë t’i votojnë kandidatët e PAN-it, në kundërshtim me qëndrimin e koalicionit LAA, pjesë e të cilit zyrtarisht janë këta deputetë.Ndërsa përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” kanë pohuar se janë unikë në votën e tyre dhe se nuk do ta votojnë PAN-in.