Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi sot ka raportuar për herë të parë para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane lidhur për gjetjet për demarkimin e kufirit Kosovë-Mal i Zi.
Mirëpo, kryesuesi Bulliqi më shumë është marrë me ish Komisionin Shtetëror të udhëhequr nga Murat Meha.Bulliqi tregoi edhe për kronologjinë se si ka filluar punën e tij duke treguar se më 13 tetor të këtij viti iu është dhënë një detyrë të bëjnë një vlerësim lidhur me punën e ish komisionit. Përveq kësaj ai tha se kanë pasur për detyrë edhe gjetjen e fakteve të reja me analiza ose kontroll efektiv në kufirin Kosovë-Mal i Zi.
Sipas tij, për një muaj e gjysmë punë, kanë dal edhe në terren për hulumtimin e materialeve brenda dhe jashtë vendit, ku pritet shumë shpejt sipas Bulliqit të dalin me raport final.
Bulliqi ka shtuar se për fat të keq nga ajo që është gjetur nga puna e ish komisionit, del se puna e tyre ishte pa bazë juridike. Ai ndër të tjera ka thënë se Komisioni Meha ka tejkaluar kompetencat e veta , sepse ka qenë i themeluar për demarkimin e jo vijë të re kufitare.
Kryesuesi i Komisionit po ashtu ka thënë se po punojnë nën presion të deputetëve dhe mediave, e po ashtu disa institucione të shtetit nuk po bashkëpunojnë me Komisionin Shtetëror.
Deputetët e Komisionit për Integrime Evropiane kanë pasur vërejtje ndaj raportit të kryetarit të Komisionit për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi Shpejtim Bulliqi, se nuk ka ofruar fakte të reja për këtë çështje. Deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti ka thënë se nuk duhet kuptuar si presion interesimi i mediave dhe deputetëve, sepse kjo storie duhet të mbyllet.
Ai tha se ka pritur që të prezantohen më shumë argumente nga Bulliqi që të përmbyllet kjo çështje.
Deputeti i LDK-së Armend Zemaj ka thënë se është një prej deputetëve që i ka kushtuar rëndësi punës së ish komisionit, dhe për këtë edhe komisioni aktual nuk duhet të merret vetëm me punën e ish komisionit, sepse edhe atë mund ta kontrollojë dikush.
Zemaj theksoi se nuk arriti të dëgjoi asgjë të re nga Bulliqi për aspektin kadastral.
Po ashtu edhe Fatmir Xhelili nga PDK ka thënë se Komisioni i drejtuar nga Shpejtim Bulliqi sot ishte i papërgatitur dhe nuk ka prezantuar argumente ose fakte të reja për vijën kufitare me Malin e Zi. Ai kërkoi ta dijë se kur mund të jetë raporti i këtij Komisioni i gatshëm, sepse ka zgjatur shumë.
Shpejtim Bulliqi në fund tha se brenda këtij viti do ta përfundojnë raportin, i cili sipas tij, do të jetë profesional dhe i paanshëm.
Blerta Deliu – Kodra kryetare e këtij Komisioni tha se ratifikimi i kufirit është kusht për liberalizimin e vizave dhe kërkohet që ky proces të përfundojë sa më parë. /KosovaPress/