Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së, ka debatuar për të gjeturat e tyre në monitorimin e ligjit për klasifikim të informacionit dhe verifikim të sigurisë, me ç’rast ka bërë disa rekomandime të cilat do të përcillen për në seancë plenare.
Ndër rekomandimet kryesore të këtij komisioni janë se Departamenti për Verifikim duhet të pavarësohet nga AKI-ja dhe të krijohet një agjenci e pavarur.
Po ashtu ky komision ka rekomanduar që qeveria duhet sa më shpejtë të procedojë ligjin e ri për klasifikim të informacionit dhe verifikim të sigurisë.
Tutje është rekomanduar që edhe deputetët anëtarë të komisioneve për mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionit për Punë të Brendshme duhet t’i nënshtrohen verifikimit.
E kjo pikë ka nxitur debat mes anëtarëve të këtij komisionit.
Deputetja e VV-së, Aida Derguti, ka thënë se deputetët nuk mund t’i nënshtrohen këtij verifikimi për arsye se ka konflikt interesi, ndërsa Milazim Haliti nga LDK-ja, tha se deputetet duhet të respektojnë ligjin dhe se ligji e parasheh këtë verifikim edhe për ta.
Ndërkohë deputetët kanë konstatuar se pezullimi i punës së departamentit të verifikimit ka qenë i kundërligjshëm.
Deputetja Melihate Terrmkolli, ka thënë se gjendja e zbatimit të ligjit për klasifikim të informacionit dhe verifikim të sigurisë është e mjerueshme, përderisa ka përmendur Ministrinë e Drejtësisë e Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ajo ka konstatuar se i vetmi institucion që ka zbatuar këtë ligj në përpikëri ka qenë Forca e Sigurisë së Kosovës.