Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që të pastroj sirtarët e gjykatave nga lëndët që kanë arritur afatin e parashkrimit.
Deri më 28 shkurt gjykatat do të kenë kohë për të mbyllur lëndët e kundërvajtjes që janë vjetërsuar, derisa një vendim të tillë e ka arsyetuar mes tjerash se “numri i madh i lëndëve, ka ndikuar edhe në imazhin e gjyqësorit”.
Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Divizionin për Kundërvajtje në fund të vitit 2017 i kishin mbetur 25409 lëndë të pavendosura.
E prej tyre, sipas një përgjigje për KTV-në, hiç më pak se 16456 janë parashkruar dhe janë raportuar si të kryera.
Për gjendjen që e ka quajtur kaotike, gjyqtari mbikëqyrës i Departamentit për Kundërvajtje, Mustafë Selimi, ka lënë fajin tek ndryshimi i Ligjit për Kundërvajtje, pasi dënimet mbeten të pa ekzekutura, nëse nuk paguhen vullnetarisht.
Selimi kërkon ndryshimin e Ligjit për kundërvajtje dhe kthimin e mundësisë për zëvendësimin e gjobës me dënim burgimi.
Por, me një mendim të tillë, nuk pajtohet Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
Numri i madh i lëndëve të veprave kundërvajtëse, nuk është problem që ka nisur me ndryshimin e Ligjit për Kundërvajtjet.
Institucioni që drejton Jashari, në raportin e vitit 2016, kishte nxjerrë një raport për parashkrimin dhe ekzekutimin e vendimeve të Gjykatave Themelore për kundërvajtjet.