Denar Biba do të jetë kryetari i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Shqipërisë, për katër vitet e ardhshme.
Kandidatura e tij u miratua nga Kuvendi shqiptar të enjten në mbrëmje me 73 vota pro, 9 kundër dhe 7 abstenim, ndërsa konkurrenti tjetër, Koli Bele mori 22 vota pro, 43 kundër, 21 abstenime.
Biba, që aktualisht mban postin e nënkryetarit të KQZ-së, pasoi në këtë detyrë Lefterije Luzin, kandidatura e së cilës u skualifikua dje nga opozita.
I përzgjedhur, mes 6 aplikantëve që konkurruan për këtë post në Kuvend, pas votimit të fshehtë, ai u zgjodh në këtë detyrë vetëm me votat e pozitës.
Biba është diplomuar jurist në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Tiranë. Ai ka një eksperiencë të pasur profesionale duke kontribuar në disa institucione, si nënkryetar i KQZ-së, si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, stazhier në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, këshilltar juridik i trupës së gjyqtarëve pranë Gjykatës Kushtetuese, transmeton KosovaPress.