Aktuale

Demolli: Ushtri do të jetë jo voluminoze, por do të jetë me kritere të NATO-s

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli raportoi sot para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.

Ministri Demolli tha se që nga miratimi i Ligjit për Forcën e Armatosur të Kosovës, Ministrisë së FSK-së i duhen 10 vjet tranzicion  për të përfunduar procesin e themelimit të FAK-ut.

Ministri Demolli përmendi të gjitha arritjet e kësaj Ministrie në këtë drejtim, ndërsa tha se buxheti për vitin e ardhshëm për FSK  do të jetë 51 milionë e 35 mijë euro.

Demolli, gjatë raportimit  tha se ka marrë përkrahje të plotë nga Qeveria për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri.

Ai tha se pasi të ndodhë transformimi, Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) do të respektojnë elementin gjinor dhe do të jetë multietnike.

“Ushtria do të jetë jo voluminoze por bashkëkohore dhe do të jetë sipas kritereve të NATO-s, nuk do të paraqesë asnjë shqetësim në regjion. Do të respektojë elementin gjinor dhe do të jetë multietnike”, tha Demolli.

Ai tha se FSK-ja ka kadetë që po shkollohen në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Turqi, Kroaci e Maqedoni.

Demolli theksoi se për herë të parë KFOR-i ka ftuar kadetët që të marin pjesë në ushtrime ushtarake./KosovaPress/