Aktuale

Dëme të mëdha nga të reshurat në Ferizaj e Lipjan

Familja Kryeziu tetë-anëtarëshe në Fshatin Sllovi të Lipjanit, jeton vetëm përmes kultivimit të kulturave bujqësore.

Në fillim të pranverës kishin nisur mbjelljen e 85 ari tokë, mirëpo të reshurat e shiut, të shoqëruara edhe me breshër, gjatë së shtunës ua dëmtuan pothuajse të gjitha, raporton KTV.

Familjarët thonë se presin ndihmën e komunës apo ministrisë, për të nisur mbjelljen e tyre nga fillimi.

Të reshurat dëme kanë shkaktuar edhe në Komunën e Ferizajt.

Hedhja e mbeturinave në përroin e fshatit Cërnillë ka bërë që ai të dalë nga shtrati, duke shkaktuar dëme materiale.

Pos dëmeve në ekonomitë familjare, uji ka hyrë edhe në disa biznese të qytetit.

Ejup Demirelit nga Ankaraja i është mbushur bodrumi i objektit me ujë, dhe shpreson që pavarësisht dëmtimit të materialit, të paktën të shpëtojnë makinat.

Kurse, kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ka thënë se kanë formuar një komision dhe përmes buxhetit për raste emergjente, do t’u dalin në ndihmë banorëve.

Ndërsa, zyrtarë të Komunës së Lipjanit kanë qenë të paqasshëm në telefon.