Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Stabilizim – Asociim(MSA) të mbyllur për medie kanë raportuar ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci, ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj si dhe ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha.
Pas takimit kryetari i këtij Komisioni, Xhavit Haliti theksoi se qëllimi i këtij takimi ishte raportimi i këtyre ministrave për integrime evropiane për të arriturat në fushat përkatëse. Sipas tij, ky ishte takim pune dhe takim i përafrimit të qëndrimeve të pozitës dhe opozitës për çështjen e integrimit.
Haliti tha se ministrat kanë qenë shumë konstruktiv dhe iu janë përgjigjur të gjitha pyetjeve që i janë bërë dhe janë rënë dakord në të ardhmen që të bashkëpunojnë dhe që Komisioni të merr pjesë në të gjitha mbledhjet të cilat organizohet nga Komitetet që udhëheq Ministria e Integrimeve Evropiane.
“Ne kemi vendosur rregulla jo për ta rrit tensionin në mes të partive politike, por qëllimi është që të ndjekim rrugën që e kanë ndjek shtetet e tjera në procesin e integrimit, që ky Komision të mos jetë komision i përplasjeve por Komision i bashkëpunimit dhe i bashkëveprimit në drejtim të integrimit të Kosovës në BE dhe në drejtim të asaj që ne t’i kryejmë detyrat tona. Asnjë qëndrim tjetër nuk është, ne bashkëpunojmë me mediat, për neve mund të vendosim një standard në qoftë se Komisioni kërkon që herë pa here të jenë mediat, por besoj që kjo nuk i bën dëm as transparencës”, theksoi Haliti.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, tha se çështja e integrimit evropian është konsensus nacional i të gjitha institucioneve të Kosovës, prandaj sipas saj, edhe takimi i sotëm është në vazhdën e takimeve të përbashkëta dhe obligimeve që dalin nga marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim dhe para çdo takimi deputetët të jenë të informuar dhe të dilet me një konkluzion të njëjtë pa pasur dallim në qëndrime.
Mirëpo, për të pasur lëvizje të lirë pa viza në shtetet e BE-së, ajo tha se demarkacioni mbetet obligim për të cilin duhet të përmbushet.
“Integrimi evropian është ambicie, është orientim për të cilin ne jemi përcaktuar dhe tani me nisjen e implementimit të MSA-së obligohemi para Bashkimit Evropian… Demarkacioni mbetet obligim për të cilin ne duhet ta përmbushi”, theksoi Ahmetaj.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha pas takimit në të cilin tha se ka raportuar për dikasterin e drejtësisë dhe për obligimet që rrjedhin nga procesi i MSA-së, tha se sa i përket Ministrisë së Drejtësisë, është koncept dokumenti për suspendimin e zyrtarëve të lartë, të cilin e kanë premtuar se do ta përmbushim brenda 6 muajve të parë, pastaj gjithashtu ligji për Konfliktin e Interesit tanimë ka kaluar në leximin e parë në Kuvend dhe pritet miratimi i këtij ligji në leximin e dytë në gjashtë mujorin e parë të këtij viti.
Por, ajo ka treguar për obligimet të cilat mbeten edhe më tutje për realizim, siç është fuqizimi i kornizës për luftimin e korrupsionit, reformimi i Kodit penal dhe Kodit të procedurës penale.
“Po ashtu edhe çështje të tjera siç janë edhe fuqizimi i kornizës për luftimin e korrupsionit, reformimin e kodit penal dhe kodit të procedurës penale. Andaj, të gjitha këto obligime ne jemi duke i përmbushur sipas obligimeve që rrjedhin nga ky proces”, theksoi Hoxha.
Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se në mesin e 35 kapitujve, kanë arritur që gjatë vitit t’i integrojnë shumë mirë në planin e punës të gjitha obligimet që dalin nga MSA-ja dhe kanë arritur që të zbatojmë 85 për qind të masave legjislative dhe 75 për qind të masave ekonomike.
“Edhe unë gjithashtu raportova për zbatimin e MSA-së, si ministri jemi përgjegjëse për zbatimin e shtatë kapitujve të MSA-së, në mesin e 35 kapitujve, ne kemi arritur që gjatë vitit t’i integrojmë shumë mirë në planin e punës të gjitha obligimet që dalin nga MSA-ja dhe kemi arritur që të zbatojmë 85 për qind të masave legjislative dhe 75 për qind të masave ekonomike. Besojmë që me angazhimin që do e bëjmë në vitin 2017 do të arrijmë që këtë përqindje ta ngrisim edhe më tutje”, theksoi ministrja Bajrami.
Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se ka raportuar për sektorët e energjisë, minierave dhe teknologjisë së informacionit që janë të rëndësishme dhe zënë një pjesë kapitale edhe në kuadër të MSA-së.
“Ne kemi raportuar në bazë të agjendës që na është dërguar, pra me çështje të cilat ndërlidhen me sektorët të cilët ne udhëheqim po në raport të drejtpërdrejtë me agjendën evropiane dhe me MSA-ën. pajtohemi të gjithë njëzëri dhe besoj që kjo është e mira e kësaj agjende që është dhe do të duhej të ishte për të gjitha partitë politike njejtë, një agjendë ku dominon një frymë konsensuale sepse janë detyrime të të gjithë neve. … Unë raportova për sektorët e energjisë, minierave dhe teknologjisë së informacionit që janë shumë të rëndësishëm dhe zënë një pjesë kapitale edhe në kuadër të MSA-së, tha ministri Stavileci.
Ndërsa, anëtarja e këtij komisioni, Donika Kadaj-Bujupi, theksoi se takimi i sotëm është përcjellë me tallje, me fyerje dhe me jo seriozitet dhe kjo është arsyeja që pozita po insistojnë që t’i mbyllin takimet. Kadaj-Bujupi tha se në tri pyetjet e saj që për të ishin të rëndësishme, ka qenë drejtuar ministres së Drejtësisë për rastin e vdekjes së dëshmitarit kyç, Naser Makolli në burg, si dëshmitari kyç në rastrin e Astrit Deharit.
Ajo tha se çështje tjetër të cilën e ka shtruar ajo në Komision ka qenë edhe çështja tjetër e cila lidhet me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, përse po lejohet që në veri të vendit ilegalisht të operojnë tri pompa ku aksionarët janë rus. Kadaj Bujupi tha se të ketë marrë përgjigje se aso kohe nuk kanë operuar edhe pse ajo tha se pyetjen e ka shtruar për faktin e kundërt.
“Ndërkaq sot operojnë dhe shteti nuk ka shtrirje në veri dhe nuk ka marr asnjë veprim për mbylljen e këtyre pompave ku aksionarët janë rus. Dhe pyetja e tretë e cila është jo më pak e rëndësishme por që lidhet me krizën energjetike me të cilën po përballet vendi por edhe me krizën që rrezikon të përballemi për shkak të vonesave në përgatitjen e minierës së Sibovcit pak a shumë përgjigjet ishin se kjo çështje i takon nivelit lokal, e është krejt e kundërta, kjo çështje i takon Qeverisë… Krejt bëhet fjalë për biznese të pista të tyre në dëm të interesave të qytetarëve dhe të shtetit të cilat këta nuk janë të gatshëm t’i diskutojnë në prani të mediave dhe në prani të opinionit”, theksoi Kadaj-Bujupi.
Komisioni parlamentar për MSA ka paraparë takim pune me datën 30 prill dhe me 1 maj, e cila mbahet në sallën e Parlamentit të Kosovës në të cilën do të jenë deputetët e Kosovës, ministrat dhe deputetët e Parlamentit Evropian./KP